Një kombi me targa vendore, i ngarkuar me mallra që të dyshuarit thonë se i sollën nga Maqedonia e Veriut, u ndal nga Policia Kufitare në Fushë Kosovë. Dy burra janë arrestuar me urdhër të prokurorit.

Barna, bizhuteri, laptopë dhe telefona celularë, të gjitha të grumbulluara në një kombi me targa vendore dhe pa asnjë letër që dëshmon se kanë hyrë ligjshëm në Kosovë. Kjo është ngarkesa që Policia Kufitare ndaloi në Fushë Kosovë, ku dy burra përfunduan në mbajtje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti është regjistruar më 17 tetor, rreth orës 22:40. Njësitë e Sektorit të Hetimeve të Policisë Kufitare ndaluan për kontroll automjetin transportues, në të cilin ndodheshin dy të dyshuar meshkuj. Brenda tij u gjet një sasi e konsiderueshme mallrash të llojeve të ndryshme: barna, produkte higjienike, bizhuteri, veshmbathje, pajisje teknologjike, kompjuterë, laptopë dhe telefona celularë.
Gjatë intervistimit, të dyshuarit kanë deklaruar se mallin e kishin sjellë nga Maqedonia e Veriut. Sipas policisë, ata nuk kanë paraqitur asnjë dokument që të dëshmonte importin e ligjshëm të tij.
"Në cilësi të provës materiale përveç mallrave të gjetura është sekuestruar edhe automjeti transportues. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje", thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshimet ndaj dy burrave përfshijnë prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore, kontrabandim me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave doganore ose akcizore. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

