Në ditën e 18-të të protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, iniciativa “Jo në emrin tim” ndau publikisht deputetët në dy kampe. Organizatori Çlirimi Haziri paralajmëron se Kuvendi ka edhe tri ditë mandat dhe kërkon votim pa vonesë.

Emrat e të gjithë deputetëve të Kosovës u shfaqën në një baner të vendosur para hyrjes së Kuvendit, të ndarë në dy anë: ata nga të cilët protestuesit presin votën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ata që, sipas tyre, nuk do ta japin. Aksioni simbolik u organizua nga iniciativa “Jo në emrin tim”, në ditën e 18-të të protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Organizatorët e quajnë ndryshimin ligjor që kërkojnë “Ligji për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. Në njërën anë të banerit u renditën deputetët shqiptarë dhe ata të pakicave që, sipas organizatorëve, priten ta mbështesin. Në anën tjetër u vendosën, me fjalët e tyre, “deputetët kundër UÇK-së, deputetët që s’presin ta votojnë këtë ndryshim, gjegjësisht ata serbë”.
Çlirimi Haziri, një nga organizatorët e aksionit, e shpjegoi logjikën e ndarjes para Kuvendit: “Sot kemi vendosur këtu një baner para Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku i kemi paraqitur të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këtu janë të ndarë deputetët të cilët presim ta votojnë ligjin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Janë pakicat të cilat edhe kanë votuar një deklaratë, gjithashtu edhe deputetët shqiptarë. Ndërsa në pjesën tjetër janë deputetët e pakicave serbe, nga të cilët nuk presim se do ta votojnë këtë ligj. Nuk presim që ata të kenë mëshirë apo një iniciativë për drejtësinë, për drejtësinë e cila e goditi shtetin e Kosovës, e cila realisht është një padrejtësi e thirrur në emër të drejtësisë”.
Presioni i kohës ishte në qendër të mesazhit. Sipas Hazirit, mandati i deputetëve aktualë përfundon pas tri ditësh, ndaj ligji duhet të procedohet menjëherë. “E ndërsa sot çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identitetit tonë kombëtar, e kemi në prag të këtij Kuvendi dhe presim që ligji të votohet. Ligji duhet të votohet sa më shpejt. Ne i dimë obligimet kushtetuese të këtij Parlamenti, e këta deputetë që janë këtu kanë mandat vetëm edhe tre ditë, nëse nuk rrezikohen e nuk shpërbëhet ky Kuvend nga disponimi i tyre politik, pra disponimi i politikanëve.”
Ai tha se qëllimi i banerit ishte t’u bëhej thirrje deputetëve “të reflektojnë, të angazhohen e të votojnë ligjin për të cilin protesta nuk ka heshtur tash e 18 ditë”. Thirrjen më të drejtpërdrejtë Haziri ua drejtoi deputetëve shqiptarë: “Deputetët shqiptarë kanë obligim ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbi sakrificën e së cilës janë ndërtuar këto institucione dhe është krijuar mundësia që edhe të kemi deputetë.”
Megjithatë, ai insistoi se kërkesa nuk ka ngjyrë partiake. “UÇK-ja nuk është e partive politike, UÇK-ja është e popullit. Jeni deputetë të zgjedhur prej popullit, keni obligim moral, kombëtar e ligjor ndaj popullit të Kosovës që të reflektoni për kërkesat e tyre”, tha Haziri.
Për të shmangur skadimin e afatit, organizatori propozoi edhe rrugën procedurale: një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga kryetarja e Kuvendit ose nga partitë përmes nënshkrimeve. “Kështu që shpresoj shumë që ligji të votohet, të thirret në seancë të jashtëzakonshme nëse do të jetë e nevojshme, edhe nga kryetarja e Parlamentit, por edhe nga partitë e tjera, t’i bëjnë nënshkrimet e ta thërrasin seancën, ta votojnë ligjin për UÇK-në”, deklaroi ai.
Protesta nuk ndalet këtu. Sipas Hazirit, protestuesit do të mblidhen sërish sonte në orën 19:00 në sheshin “Skënderbeu”, me të njëjtën kërkesë: “Pra, nuk do të ketë kompromis, kërkojmë votimin e këtij ligji. UÇK-ja ka nevojë për këtë ligj, Kosova dhe historia më e lavdishme e Kosovës ka nevojë për këtë ligj.”
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

