Ishin duke u kthyer në shtëpi, kur një burrë që po grindej para një bari iu vërsul të riut 29-vjeçar me thikë. Babai i tij ishte aty dhe pa gjithçka; autori ende kërkohet nga policia.

Një burrë 29-vjeçar u vra me thikë pak para orës 1:00 të mëngjesit të së shtunës para një bari në lagjen Queens të Nju Jorkut, ndërsa babai i tij ndodhej vetëm pak hapa larg. Hetuesit e kanë identifikuar viktimën me inicialet S. F. Autori i dyshuar nuk është identifikuar dhe nuk është arrestuar, ndërsa policia vazhdonte ta kërkonte natën e së shtunës.
Sulmi ndodhi para lokalit të quajtur "Seduction", pranë kryqëzimit të Jamaica Avenue me rrugën 175. Sipas rrëfimit të babait, ai dhe i biri po ktheheshin në shtëpi dhe po kalonin rrugën përballë barit. Burri që më pas e goditi me thikë, tha ai, ishte grindur me një person tjetër jashtë lokalit, para se gjithçka të kthehej në dhunë.
"Kur kaluam rrugën, ky tip vjen dhe e godet me thikë dhe ata ranë përdhe", tha babai. Duke treguar gjoksin e vet, ai shpjegoi se plaga e parë kishte qenë aty, "por ai u godit me thikë në shpinë. Mendoj se kjo e vrau."
Pas goditjeve, i riu arriti të futej në një restorant aty pranë. Sipas babait, ai u rrëzua dhe i tha nënës së tij se nuk mund të merrte frymë. Një mik i tij, i cili ndodhej në vendngjarje, i përshkroi ato çaste kështu: "Bërtiste, bërtiste 'jam plagosur', po mbytej për frymë." I plagosuri u dërgua në spital, ku u konstatua vdekja.
"Ishte djalë shumë i gëzuar, është 29 vjeç, por vinte dhe bënte shaka, vinte dhe e përqafonte nënën e tij", tha babai. "Oh, nuk e di si do ta përballojë këtë gruaja ime."
Miqtë e kujtojnë si një djalë të qetë e të lidhur ngushtë me familjen. "Ishte djalë shumë i mirë, nuk u fut kurrë në asnjë telash", tha i njëjti mik. Një shok tjetër tregoi se viktima la pas katër fëmijë. "Kaq i mirë", tha ai, duke u munduar ta kuptojë atë që kishte ndodhur. "Nuk e di, o njeri."
Një fqinj e quajti vrasjen një humbje të rëndë për lagjen. "Kjo është një tragjedi, të them të drejtën, dhe shpresoj që të bëhet (më e sigurt) të qëndrosh në (këtë zonë)", tha ai.
Motivi i sulmit dhe arsyeja e grindjes që i parapriu nuk janë bërë publike. Autoritetet u kanë bërë thirrje kujtdo që ka informacion të telefonojë linjën e sinjalizimeve anonime Crime Stoppers në numrin 1-800-577-TIPS.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

