Pierre Richard Prosper, avokat në ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit, thotë se aktgjykimi i Gjykatës Speciale "rishkruan historinë", ndërsa një analizë e publikuar në Gjermani krahason dënimin prej 25 vjetësh me dënime më të ulëta të shqiptuara ndaj zyrtarëve serbë për krime kundër njerëzimit.

"Këpuca është vënë në këmbën e gabuar." Me këtë figurë e ka përshkruar Pierre Richard Prosper, avokat i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, mënyrën se si trupi gjykues i Gjykatës Speciale e ka trajtuar çështjen kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin "Rubikon" në Klan Kosova, Prosper ka thënë se përfundimin e ka nxjerrë pasi ka dëgjuar aktgjykimin dhe arsyetimin e gjyqtarëve.
"Kur dëgjova aktgjykimin dhe dëgjova se çfarë kishin për të thënë gjyqtarët, unë sinqerisht konkludova që ishte një vendim jo i ndershëm. Është një situatë që është shumë larg nga e vërteta, e rishkruan historinë", ka deklaruar avokati.
Ai ka insistuar se qëndrimi i tij nuk është kundër drejtësisë si e tillë, por kundër mënyrës se si, sipas tij, ajo është zbatuar në këtë rast: "Është një situatë ku, mbi të gjitha, duhet thënë se unë besoj në sundimin e ligjit, të gjithë besojmë në sundimin e ligjit, por sundimi i ligjit duhet të aplikohet në mënyrë objektive dhe të paanshme."
Kritikën më të drejtpërdrejtë Prosper ua ka adresuar vetë gjyqtarëve. "Ne kemi një situatë tani ku këpuca është vënë në këmbën e gabuar. Mënyra si e kanë nxjerrë vendimin këta gjyqtarë, si e kanë trajtuar çështjen, sipas mendimit tim, ata e kanë shkelur sundimin e ligjit", ka thënë ai.
Paralelisht me reagimet nga Kosova, aktgjykimi i Hagës është bërë temë edhe e një analize të gjerë të publikuar më 20 shtator nga mediumi gjerman "Cicero", e cila e vë në fokus dënimin prej 25 vjetësh burgim ndaj Hashim Thaçit. Analiza ndalet te fakti se të akuzuarit janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe i vlerëson si të kuptueshme kritikat e ardhura nga Kosova për lartësinë e dënimeve.
Autori i shkrimit, politologu Alexander Rhotert, bën një krahasim me figura nga Serbia dhe Bosnja të dënuara nga tribunale ndërkombëtare për krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi: Biljana Plavšić, e dënuar me 11 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Vojislav Šešelj me 10 vjet, Jovica Stanišić me 15 vjet, si dhe ish-gjenerali i policisë serbe Vlastimir Đorđević, i dënuar me 18 vjet burgim. Për Đorđevićin, shkrimi rikujton se ai u dënua për krime të lidhura me trajtimin e civilëve shqiptarë të Kosovës.
Sipas argumentit të Rhotertit, nëse dënimi i Thaçit krahasohet me raste të tjera nga ish-Jugosllavia ku janë shqiptuar dënime edhe për krime kundër njerëzimit, 25 vjetët mund të shihen si dukshëm më të lartë. Krahasimi mes rastit të Thaçit dhe atij të Đorđevićit, shkruan ai, ngre të paktën "një pikëpyetje", edhe pse thekson se bëhet fjalë për dy gjykata të ndryshme.
Analiza ndalet edhe te përfundimet e vetë Gjykatës Speciale për akuzat më të rënda: sipas saj, Gjykata nuk ka konstatuar se të dënuarit kishin për qëllim dëbimin apo vrasjen masive të personave jo-shqiptarë, ndërsa akuza nuk arriti të provonte ekzistencën e një synimi të tillë. Rhotert, sipas biografisë së publikuar nga "Cicero", e studion ish-Jugosllavinë që nga viti 1991 dhe ka punuar rreth dy dekada në struktura të Kombeve të Bashkuara, NATO-s, OSBE-së, OHR-së dhe Bashkimit Evropian.
Reagimet brenda Kosovës vazhdojnë edhe në nivel lokal e politik: Kuvendi Komunal i Deçanit ka thirrur mbledhje urgjente, në të cilën pritet miratimi i një deklarate kundër Speciales.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

