Pas aktgjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, thotë se Gjykata Speciale ka dështuar të fitojë besimin e qytetarëve dhe se e vetmja rrugë e mbetur është shkalla e dytë.

"Unë mendoj që padrejtësia tashmë ka ndodhur. E vetmja mundësi për ta rivendosur drejtësinë është marrja e një vendimi të drejtë", ka deklaruar Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, duke komentuar aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për Klan Kosova, Qelaj ka thënë se pas aktgjykimit rruga e vetme për rivendosjen e drejtësisë është shqyrtimi i çështjes në shkallën e dytë, ndërsa institucionet e Kosovës, sipas tij, duhet të jenë më të vëmendshme dhe të kërkojnë përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e Gjykatës Speciale.
Ombudspersoni ka theksuar se një gjykim i drejtë nuk mund të reduktohet në një përfundim formal juridik, por duhet të jetë rezultat i një procesi të pavarur dhe të paanshëm, që krijon besim te publiku. "Besimi i publikut është thelbësor. Nga reagimet publike mund të konstatoj pa dyshim që Gjykata ka dështuar në krijimin e këtij besimi në raport me qytetarët e Kosovës", ka thënë ai.
Për Qelajn, mungesa e këtij besimi cenon të dyja anët e procesit. "Përderisa publiku nuk është i bindur se verdikti është i drejtë, drejtësia nuk ka triumfuar as për viktimat dhe as për të akuzuarit", u shpreh Avokati i Popullit.
Ai ka kërkuar që mbrojtja të punojë fuqishëm në procedurën e apelit, ndërsa ekipet profesionale mbështetëse të ofrojnë argumente konkrete për një përfundim të drejtë. Qelaj ka paralajmëruar se, nëse dikush shpallet fajtor duke qenë i pafajshëm, pasojat do të ishin të rënda jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për sistemin juridik e gjyqësor të Kosovës.
Aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ka nxitur një valë reagimesh institucionale e politike në Kosovë dhe jashtë saj. Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët në të cilën thuhet se agresori nuk mund të barazohet me viktimën, ndërsa BDI në Maqedoninë e Veriut ka reaguar me qëndrimin se drejtësia nuk mbrohet me standarde të dyfishta. Nga Haga, Hashim Thaçi ka falënderuar qytetarët dhe ka bërë thirrje për qetësi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

