Skënder Musa, avokat i akredituar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, thotë se drafti i PDK-së mund të zhvendosë në Kosovë gjykimin e një pjese të veprave penale që sot trajtohen nga mekanizma të tjerë.

Një pjesë e veprave penale që sot bien nën kompetencën e gjykatave të rregullta të Kosovës, të Departamentit Special dhe të Prokurorisë Speciale do të mund të gjykohen brenda sistemit të drejtësisë së vendit, nëse miratohet projektligji i propozuar nga PDK-ja. Vlerësimin e bën Skënder Musa, avokat i akredituar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në një deklaratë për "Front Online".
Sipas tij, nismа nuk është një ndryshim teknik pa pasoja për institucionin në Hagë. "Në aspektin juridik, projektligji mund të ketë ndikim sa i përket kompetencave të Dhomave të Specializuara. Aq sa munda ta lexoj draftin, një pjesë e veprave penale që janë në kompetencë të gjykatave të rregullta të Kosovës, Departamentit Special dhe Prokurorisë Speciale, do të mund të trajtohen në Kosovë", u shpreh Musa.
Avokati e mbështet frymën e nismës, që synon përfshirjen e çështjeve të caktuara brenda mekanizmave të drejtësisë së Kosovës. "Çdo iniciativë që merret me qëllim të vendosjes së këtij institucioni brenda mekanizmave të Kosovës, konsideroj se është pozitive", tha ai.
Njëkohësisht, Musa e lexon hapin edhe në kyçin politik dhe e lë të hapur fatin e tij në Kuvend. "Ky është një veprim politik i PDK-së dhe mbetet të shihet se a ka përkrahje nga partitë e tjera. Ka për qëllim të krijojë një mundësi që të ketë gjykim të drejtë, objektiv dhe neutral për veprat që janë në kompetencë të këtij institucioni, ndërsa veprat që nuk janë në kompetencën e tij, por që janë kompetencë e gjykatave të Kosovës, të gjykohen në Kosovë", theksoi ai.
Sa i përket përmbajtjes së draftit, Musa thotë se ai rregullon edhe anën praktike të një kalimi të tillë: "Parashihet mënyra e transferimit të materialeve dhe lëndëve, sanksionet penale dhe çështje të tjera që lidhen me këtë proces". Ende nuk dihet kur do të shqyrtohet projektligji dhe si do të qëndrojnë ndaj tij partitë e tjera.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

