Avokati Alban Duraj pretendon se hetimet private të paguara pjesërisht me para të mbledhura nga qytetarët kanë çuar te vendndodhja e Bleona Matës, e zhdukur prej vitesh. Nga autoritetet nuk ka konfirmim.

Rasti i Bleona Matës, vajzës së zhdukur prej vitesh, ka marrë një kthesë të re publike: avokati Alban Duraj ka deklaruar se nëna e saj, Bukurie Mata, i ka thënë se e bija është identifikuar në një prej vendeve të Bashkimit Evropian dhe se jeton atje e birësuar nga një çift grek.
Duke folur në emisionin "Breaking me Fiori Dardha", Duraj tregoi se pretendimi vjen nga komunikimi i tij me nënën e vajzës, e cila, sipas tij, kishte angazhuar një agjenci të specializuar për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.
"Ajo ka thënë se Bleona është në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Pra, kanë arritur që ta identifikojnë se ku ndodhet. Është studente, madje e shkëlqyer, ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek. Kaq më tha për momentin", deklaroi avokati. Cili është shteti konkret, ai nuk e tha.
Sipas Durajt, për angazhimin e kësaj agjencie është përdorur edhe një pjesë e parave që qytetarët shqiptarë kishin mbledhur për rastin. Komunikimi i fundit mes tij dhe Bukurie Matës, tha ai, ka ndodhur në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, kur nëna e kishte siguruar se ishte shumë afër gjetjes së vajzës.
Avokati shtoi se ajo nuk i dha detaje të tjera, por i premtoi se historia nuk do të mbyllet me një takim familjar. "Sapo të takohet me Bleonën, nuk do ta lërë me kaq. Të gjithë personat që kanë ndihmuar në zhdukjen e Bleonës apo ata zyrtarë që kanë vepruar apo nuk kanë vepruar për zbulimin e saj, ajo nuk do ta lërë", tha Duraj.
Në rast se takimi realizohet, sipas tij, Bukurie Mata synon ta çojë çështjen edhe në Prokurorinë e Posaçme, duke kërkuar përgjegjësi si për ata që mund të kenë pasur rol në zhdukjen e vajzës, ashtu edhe për zyrtarët që nuk e zbardhën rastin.
Deri tani, asnjë institucion nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se Bleona Mata është gjetur. Pretendimi mbetet deklarim i avokatit, i bazuar te thëniet e nënës.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

