Një avion ushtarak u rrëzua të martën në afërsi të bazës ajrore amerikane të Spangdahlemit në Gjermani. Autoritetet lokale në regjionin e Eifelit njoftuan fillimisht për një person të lënduar.

Zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës u nisën me shpejtësi drejt një terreni të thyer në regjionin e largët të Eifelit, pasi një avion ushtarak u rrëzua të martën pranë bazës ajrore amerikane të Spangdahlemit, në landin gjerman Rheinland-Palatinat.
Autoritetet lokale njoftuan fillimisht se një person ishte lënduar. Avioni, sipas raportimeve, ishte i Forcave Ajrore Amerikane.
Distrikti i Eifelit Bitburg-Prüm konfirmoi ndërhyrjen në faqen e tij të internetit: "Pas rrëzimit të një avioni në afërsi të bazës ajrore amerikane Spangdahlem, ekipet e zjarrfikësve dhe të reagimit emergjent nga Distrikti i Eifelit Bitburg-Prüm u dërguan në vendin e ngjarjes". Në të njëjtin njoftim, distrikti shtoi: "Për detajet e mëtejshme të ngjarjes nuk mund të bëhen komente nga ana e distriktit të Eifelit në këtë moment".
Autoritetet lokale thanë se reaguesit e parë po ndihmonin në vendin e ngjarjes, por që mund të komentonin vetëm në masë të kufizuar. Agjencia gjermane e lajmeve DPA raportoi shpejt pas shpërthimit të lajmit se Forcat Ajrore Amerikane nuk kishin reaguar menjëherë ndaj një kërkese për komentim. Shkaku i rrëzimit dhe tipi i avionit nuk janë bërë të ditur.
Spangdahlemi është një bazë amerikane në pjesën në veri të Trierit, në Rheinland-Palatinat, jo shumë larg në perëndim të kufirit me Luksemburgun. Objekti i NATO-s është ndërtuar në fillim të viteve 1950 dhe në të është vendosur Krahu i 52-të i Gjuetarëve i Forcave Ajrore Amerikane.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

