Komisioni antikorrupsion i Viktorias ka ngritur akuza kundër dy policëve, njëri i akuzuar se e goditi disa herë në kokë me armë elektroshoku (taser) një burrë indigjen gjatë një arrestimi vitin e kaluar.

Dy oficerë policie në shtetin australian të Viktorias janë akuzuar për sulm, pasi dyshohet se përdorën një armë elektroshoku (taser) dhe një gju për ta goditur në mënyrë të përsëritur në kokë një burrë gjatë një arrestimi vitin e kaluar.
Akuzat u ngritën nga Komisioni i Pavarur Antikorrupsion i Viktorias (Ibac), pas një hetimi mbi forcën e ushtruar gjatë arrestimit të një burri indigjen në lindje të Melburnit gushtin e kaluar.
Sipas Ibac-ut, njëri prej oficerëve, një kryerreshter i policisë, dyshohet se e goditi disa herë në kokë burrin me armën elektroshoku. "Gjatë arrestimit, dyshohet se një kryerreshter e goditi në mënyrë të paligjshme burrin në kokë me një taser disa herë", tha Ibac-u. "Ai është akuzuar për sulm të rënduar me armë."
I dyshuari i dytë, një rreshter, akuzohet se e goditi po ashtu burrin në kokë me gjurin. "Përveç kësaj, dyshohet se rreshteri e goditi në mënyrë të paligjshme burrin në kokë me gjurin e vet. Ai është akuzuar për sulm të paligjshëm", thuhej në deklaratën e komisionit.
Të dy oficerët pritet të paraqiten para gjykatës së magjistratëve në Ringwood më 11 shtator.
Hetimi i Ibac-ut, i koduar si Operacioni "Ginkgo", u krye nga skuadra e specializuar për ankesat ndaj policisë (FPCT). Sipas komisionit, ky ekip merret me pretendime serioze për sjellje të pahijshme të policisë së Viktorias ndaj personave nga komunitete me rrezik më të lartë për t'u përballur me abuzime policore. "FPCT-ja e Ibac-ut vlerëson dhe heton pretendime serioze, të një incidenti të vetëm, për sjellje të pahijshme të Policisë së Viktorias ndaj njerëzve nga komunitete me rrezik më të lartë për të përjetuar sjellje të pahijshme policore, përfshirë popujt e Kombeve të Para", tha Ibac-u.
Komisioni theksoi se, meqë çështja tashmë ndodhet para gjykatës, nuk ka informacione të tjera në dispozicion. Deri në një vendim gjyqësor, të dy oficerët mbeten të pafajshëm sipas ligjit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

