Shpëtimtarët bullgarë nuk gjetën asgjë tjetër veç një varke të përmbysur, tri trapeve shpëtimi dhe mbeturinave që notonin në Detin e Zi. Kërkimi për ekuipazhin e anijes së goditur nga dronët është mbyllur përfundimisht.

"Nuk ka asnjë gjurmë të marinarëve." Me këto fjalë, Rumen Nikolov, drejtuesi i Qendrës bullgare të Koordinimit për Kërkim dhe Shpëtim Detar, u tha të mërkurën gazetarëve se operacioni në Detin e Zi ka marrë fund pa asnjë të mbijetuar.
Kërkimi u ndal vonë të martën dhe, sipas Nikolovit, nuk do të rifillojë. Ekuipazhi i anijes tregtare që u fundos pas sulmit me dronë të martën herët mbetet i zhdukur. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur sa persona mungojnë, ndërsa faqja e specializuar Maritime.bg raporton se në bord ndodheshin 10 veta.
Deti ktheu vetëm pak gjëra. "Nga anija e fundosur u gjetën një varkë e përmbysur, tri trape shpëtimi dhe mbeturina nga pajisjet e anijes që notonin mbi sipërfaqen e detit", tha Nikolov. I pyetur nëse ishin gjetur copa nga dronët, ai u përgjigj: "Nuk kam informacion për mbetje dronësh."
Në anijen e dytë të goditur, e cila mori flakë, fati ishte ndryshe: 18 anëtarë të ekuipazhit, shtetas turq dhe indianë, u shpëtuan.
Kronologjia e natës, sipas Nikolovit, nis në orën 2:54 të së martës (23:54 GMT e së hënës), kur u kap sinjali i fenerit të emergjencës nga anija që u fundos. Sinjali i rrezikut nga anija tjetër mbërriti në orën 3:23 (00:23 GMT). Të dyja u goditën rreth 80 milje detare (150 kilometra) në lindje të qytetit bregdetar bullgar Bjala. Nikolov saktësoi se ngjarja ndodhi në atë që quhet "zonë përgjegjëse kërkim-shpëtimi" dhe jo në ujërat territoriale të Bullgarisë, të cilat shtrihen deri në 12 milje detare nga bregu.
Të dyja anijet tregtare administroheshin nga kompani me seli në Turqi, sipas bazës së të dhënave të transportit detar tregtar Equasis.
Kush i lëshoi dronët mbetet pa përgjigje: autoritetet bullgare thonë se ende nuk janë në gjendje të përcaktojnë prejardhjen e tyre. Kryeministri Rumen Radev e ka cilësuar sulmin "absolutisht të papranueshëm", ndërsa kreu i Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka dënuar ngjarjen.
Sulmet ndaj anijeve në Detin e Zi po shtohen ndërsa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ashpërsohet. Vetëm një ditë më parë, të hënën, një tjetër anije mori flakë dhe u fundos në brigjet e Rumanisë, duke lënë dy të vdekur. Për atë sulm me dronë, Ukraina fajësoi Rusinë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

