Akademia më e lartë shkencore e Kosovës hyn në debatin për Hagën: kryetarja Justina Shiroka-Pula paralajmëron për rrezikun e një drejtësie që perceptohet si selektive dhe shpreh rezerva të thella ndaj vetë konceptimit të Gjykatës Speciale.

Aktgjykimi dënues i 16 shtatorit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka nxitur një reagim të rrallë nga bota akademike. Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Justina Shiroka-Pula, ka kritikuar hapur Gjykatën Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm vendimin, por edhe mënyrën si është ngritur kjo gjykatë.
Në një shkrim në Facebook, ajo vlerësoi se vendimi i fundit i obligon të gjithë të reflektojnë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
“Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive”, shkroi Shiroka-Pula.
Kryetarja e ASHAK-ut e mbrojti të drejtën për të kritikuar institucionet e drejtësisë, duke theksuar se kjo nuk bie ndesh me respektin për ligjin. “Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”, shtoi ajo.
Në qendër të argumentit të saj qëndron dallimi mes individit dhe lëvizjes. Sipas Shiroka-Pulës, UÇK-ja është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë, ndaj proceset penale ndaj individëve nuk duhet të kthehen në një gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri.
“Prandaj, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë”, deklaroi ajo.
Shiroka-Pula e mbylli reagimin me një ofertë bashkëpunimi: “Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë”.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

