Një norvegjez në të 50-at, që mban statusin e të dyshuarit në zhdukjen e Anne-Elisabeth Hagen në vitin 2018, u kap në Göteborg — por këtë herë për një çështje krejt tjetër: trafik të rëndë droge.

Një norvegjez në të 50-at është arrestuar në Göteborg të Suedisë dhe akuzohet për kriminalitet të rëndë me drogë, në një hetim që drejtohet nga Kripos, njësia qendrore e policisë kriminale të Norvegjisë. Arrestimin e konfirmoi vetë Kripos.
Sipas policisë, kapja ndodhi të martën në mbrëmje, me ndihmën e policisë dhe doganave suedeze. "Mund të konfirmojmë se një burrë është arrestuar në Suedi të martën në mbrëmje, në një hetim që drejtohet nga Kripos. Burri është i akuzuar për kriminalitet të rëndë me drogë. Kemi pasur ndihmën e policisë dhe doganave suedeze në arrestim, dhe burri do të dorëzohet në Norvegji brenda ditëve në vijim. Në Norvegji do të paraqitet për paraburgim me të mbërritur", tha politiavokatja Ingvild Myrold.
Ajo që e bën rastin të veçantë është identiteti i të arrestuarit. Burri, i dënuar edhe më parë, mban statusin e të dyshuarit në lidhje me zhdukjen e Anne-Elisabeth Hagen në Lørenskog në vitin 2018 — një nga rastet më të bujshme e më enigmatike të Norvegjisë. Herët këtë vit u bë e ditur se policia e kishte marrë në cilësinë e të dyshuarit në atë çështje, pas një hetimi të mbajtur në fshehtësi.
Megjithatë, autoritetet e ndajnë qartë arrestimin e tanishëm nga çështja e zhdukjes. Sipas Distriktit Policor Lindje, burri nuk është kapur për shkak të rastit të zhdukjes dhe as nuk është marrë ende në pyetje për të. "Ai nuk është arrestuar në lidhje me çështjen e zhdukjes. As nuk është marrë në pyetje në rastin tonë, por kjo është diçka që duam ta realizojmë kur të vijë në Norvegji", tha politiavokatja Lisbeth Ravlo Bakke.
Mbrojtja e tij ndan të njëjtin qëndrim. Avokatja e burrit, Victoria Holmen, konfirmoi arrestimin dhe tha se ka angazhuar avokatin Magnus Johansson në Göteborg për ta ndjekur klientin atje. "Klienti im u arrestua më herët këtë javë në Suedi. Kam angazhuar avokatin Magnus Johansson në Göteborg për ta ndjekur klientin tim atje. Sipas asaj që na është njoftuar, ai do të dërgohet në Norvegji brenda pak kohe", tha ajo. Holmen shtoi se nuk është vënë në dijeni për përmbajtjen e akuzës së tanishme, përveç faktit se ajo nuk lidhet me rastin e Lørenskog.
Avokatja theksoi gjithashtu qëndrimin e klientit të saj ndaj hetimit për zhdukjen: "Për saktësi, kujtoj se klienti im nuk e pranon fajësinë për akuzën në rastin e Lørenskog dhe ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në të. Vë re se kjo akuzë nuk është pjesë e bazës për arrestimin në Suedi."
Burri ka dhënë pëlqimin për dorëzimin në Norvegji, ndaj nuk është paraqitur për paraburgim në Suedi. Në Norvegji, autoritetet synojnë ta marrin në pyetje edhe për çështjen e zhdukjes.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

