Një armë e drejtuar ndaj një 27-vjeçari në fushën e futbollit dhe një 38-vjeçar i kanosur e i goditur në fytyrë brenda një lokali. Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim tre burra për dy ngjarjet, që ndodhën me një ditë diferencë.

Dy ngjarje me armë zjarri, me vetëm një ditë diferencë, kanë vënë në lëvizje policinë e Shkodrës. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre burra, të cilët ende nuk janë kapur.
Rasti i parë ndodhi më 11 tetor 2026, në një fushë sporti (kalçeto) në qytet. Sipas policisë, i dyshuari K. F., 25 vjeç, banues në Shkodër, ka hyrë në fushë dhe i ka drejtuar armën një 27-vjeçari me inicialet J. U., me qëllim vrasjen e tij. Ai kërkohet për veprat penale "Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Një ditë më vonë, më 12 tetor, skena u zhvendos në një lokal po në Shkodër. Policia dyshon se dy burra, F. Gj., 40 vjeç, dhe F. S., 37 vjeç, të dy banues në këtë qytet, kanë kanosur me armë zjarri një 38-vjeçar me inicialet E. Ç. dhe e kanë goditur me grushte, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Të dy janë shpallur në kërkim për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit", "Kanosja" dhe "Dëmtime të tjera me dashje", të kryera në bashkëpunim.
Policia nuk ka bërë të ditur nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për kapjen e tre të dyshuarve, materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

