Kosova hyn në listën e vendeve me procedura të thjeshtësuara për vizën turistike saudite. Qytetarët e saj tashmë mund ta marrin vizën në internet ose drejtpërdrejt në pikat e hyrjes në Mbretëri.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë tashmë drejt Arabisë Saudite me një vizë turistike që nuk kërkon më procedurat e zakonshme. Ata mund të aplikojnë për vizë elektronike ose ta marrin atë në mbërritje, në pikat e hyrjes në Mbretëri.
Vendimi u bë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite, e cila njoftoi se Republika e Kosovës, së bashku me Republikën Kooperative të Guajanës, i është shtuar listës së vendeve qytetarët e të cilave përfitojnë nga procedurat e thjeshtësuara për marrjen e vizës turistike.
Viza nuk kufizohet vetëm te pushimet. Ajo u mundëson udhëtarëve të vizitojnë vendin për turizëm, për pjesëmarrje në ngjarje, ekspozita dhe konferenca. Sipas ministrisë saudite, mbajtësit e saj mund ta përdorin edhe për të kryer Umren, si dhe për të vizituar të afërmit dhe miqtë në Arabinë Saudite.
Zgjerimi i skemës është pjesë e përpjekjeve të Rijadit për ta hapur vendin ndaj më shumë vizitorëve ndërkombëtarë dhe për t'i thjeshtuar procedurat e hyrjes. Autoritetet saudite synojnë t'ua lehtësojnë turistëve pjesëmarrjen në kalendarin gjithnjë e më të pasur të ngjarjeve, si edhe vizitat në atraksionet turistike dhe kulturore.
Ky hap vjen në vazhdën e investimeve të ndjeshme që Arabia Saudite ka bërë vitet e fundit në sektorin e turizmit, si pjesë e një strategjie për diversifikimin e ekonomisë dhe uljen e varësisë nga nafta, me synimin për të tërhequr miliona vizitorë të huaj.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

