Banka Qendrore e Kosovës humb edhe në shkallë të dytë kontestin me Albulena Xhelili-Berishën, të cilën e kishte larguar nga drejtimi i Departamentit për Licencim dhe Standardizim. Gjykata e Apelit konstaton se BQK përdori si bazë për shkarkim të njëjtat arsye për të cilat ajo ishte ndëshkuar vite më parë.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që e kthen Albulena Xhelili-Berishën në pozitën e drejtoreshës së Departamentit për Licencim dhe Standardizim në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Ankesa e bankës u refuzua.
Me vendimin e shkallës së parë, i cili tashmë është vërtetuar, BQK detyrohet t'i paguajë Xhelili-Berishës 3 mijë e 421 euro, me kamatë prej 8 për qind, që llogaritet nga dita kur u paraqit padia e deri në përmbushjen përfundimtare të vendimit.
Çështjen e shqyrtoi një kolegj prej tre gjyqtarësh, i kryesuar nga Mirlinda Bytyqi-Rexhepi, me anëtarë Ylber Shurdhiqin dhe Nora Bllaca-Dulën. BQK e kishte goditur me ankesë aktgjykimin e Themelores, ndërsa avokati Kujtim Kërveshi, përfaqësues i Xhelili-Berishës, kishte dorëzuar përgjigjen ndaj saj.
Një vërejtje e vjetër si bazë për shkarkim
Sipas Apelit, vendimi i shkallës së parë është i qartë dhe dispozitivi i tij është në harmoni me arsyetimin. Gjykata e shkallës së dytë pajtohet me vlerësimin e provave: Xhelili-Berishës i ishte shqiptuar vërejtje me shkrim më 24 maj 2019, ndërsa më vonë, pasi u kthye nga pushimi i lehonisë, BQK e njoftoi me e-mail se e kishte shkarkuar nga pozita e drejtoreshës dhe e kishte sistemuar në një vend tjetër pune.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i vendimit. Arsyet që BQK përmendi për shkarkimin, sjellja jokorrekte, arrogante dhe jobashkëpunuese me mbikëqyrësin e drejtpërdrejtë, ishin po ato për të cilat asaj i ishte dhënë vërejtja me shkrim. Sipas Apelit, një masë e shqiptuar vite më parë nuk mund të shërbente si bazë aktive disiplinore pa u sqaruar nëse ekzistonte ndonjë masë tjetër që do ta pengonte shlyerjen e saj.
Gjykata vlerëson gjithashtu se komunikimet e paditëses me BQK-në kishin të bënin me kryerjen e detyrave të punës që i ishin ngarkuar dhe me udhëzimet për zbatimin e tyre. Nga shkresat e lëndës, sipas Apelit, del edhe kërkesa që ajo të largohej nga zyra e drejtoreshës dhe t'i ndërrohej zyra, veprime që sipas gjykatës nënkuptojnë zbatimin e menjëhershëm dhe real të masës së degradimit.
Apeli thekson se Xhelili-Berisha e kundërshtoi masën vazhdimisht, fillimisht brenda BQK-së e më pas në gjykatë, dhe se fakti që ajo vazhdoi të punonte në pozitën e re nuk do të thotë domosdoshmërisht se ishte pajtuar me ligjshmërinë e vendimit. Sipas gjykatës, një qasje tjetër do të krijonte pasoja të papranueshme, sepse punëdhënësi do të mund t'i shmangej kontrollit gjyqësor të një mase të paligjshme, fillimisht me vërejtje e pastaj me një akt tjetër shkarkimi.
Nga degradimi te ndërprerja e marrëdhënies së punës
Padinë ndaj BQK-së Xhelili-Berisha e ushtroi më 1 shkurt 2022. Sipas saj, Bordi Ekzekutiv i BQK-së më 22 prill 2021 e shkarkoi nga pozita e drejtoreshës dhe e sistemoi si zyrtare e lartë e rregullativës. Në padi pretendohen shkelje të së drejtës materiale e procedurale, si dhe diskriminim.
Padia përshkruan edhe zhvillimet e vjeshtës së atij viti. Më 5 tetor 2021 ajo kërkoi pushim vjetor dhe një pushim tjetër familjar, të cilat iu aprovuan. Të nesërmen, më 6 tetor, kërkoi pushim pa pagesë për të ndjekur një program post-doktorate në kuadër të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me bursë të Qeverisë amerikane. Më 1 nëntor 2021, sipas padisë, ajo u njoftua se kërkesa i ishte refuzuar, pa marrë ndonjë vendim.
Më 12 nëntor 2021 iu bë e ditur se guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, me vendim të 8 nëntorit kishte themeluar komisionin disiplinor, seanca e të cilit ishte paraparë për 15 nëntor. Atë ditë ajo njoftoi se nuk mund të merrte pjesë fizikisht, dhe kërkesa e saj për takim virtual u aprovua. Dy ditë më vonë, më 17 nëntor 2021, guvernatori Mehmeti mori vendim për masën disiplinore "Ndërprerje e marrëdhënies së punës". Ankesa e saj, sipas padisë, u refuzua pasi kishte kaluar afati 30-ditor i paraparë për përgjigje.
Me padi, Xhelili-Berisha kërkoi anulimin e vendimeve të 17 nëntorit 2021 dhe 5 janarit 2022, kthimin në punë dhe kompensimin e pagave me kamatë vjetore prej 8 për qind. Me vendimin e Apelit, kthimi i saj në krye të Departamentit për Licencim dhe Standardizim tashmë është vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

