Me ankesën ndaj dënimit të ish-krerëve të UÇK-së drejt Gjykatës së Apelit, ekipet mbrojtëse në Hagë kërkojnë tarifa më të larta për avokatët. Kjo ndodh ndërkohë që nga buxheti i Kosovës janë paguar tashmë mbi 40.6 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

Beteja e katër ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara për Kosovën po kalon në fazën e Apelit. Bashkë me ankesën ndaj vendimit dënues të shkallës së parë, në Kosovë ka nisur edhe një debat tjetër: sa paguhen avokatët që i mbrojnë dhe kush duhet ta mbajë këtë barrë.
Kërkesa kryesore është rritja e tarifave që u jepen avokatëve të angazhuar në ekipet mbrojtëse para gjykatës me seli në Hagë. Paratë nuk janë e vetmja çështje. Kërkohet gjithashtu koordinim më i ngushtë i institucioneve të Kosovës. Nga ana tjetër, vetë ekipet mbrojtëse ftohen të tregohen më transparente.
Avni Bytyqi, anëtar i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, një nga të dënuarit në shkallë të parë, pranon se fondet shtesë nevojiten. Megjithatë, sipas tij, pesha kryesore bie mbi angazhimin e shtetit. "Nuk është vetëm çështja e fondeve. Në fund, këto gjashtë vitet e fundit jemi harruar. A ka nevojë për fonde shtesë? Po, mirëpo më e rëndësishme se paratë është koordinimi, përkrahja dhe angazhimi i shtetit të Kosovës. Si palë që e ka nënshkruar, në mirëbesim, një marrëveshje me BE-në për Dhomat e Specializuara të Kosovës, nuk duhet ta reduktojmë debatin vetëm në çështjen e fondeve. Ato janë jetike për ekipet, mirëpo edhe më jetike është mbajtja përgjegjëse e sponsorëve të kësaj gjykate, të cilët kanë dështuar në mënyrë absolute në garantimin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent. Shteti i Kosovës, prezenca e saj janë jetike për ta parandaluar kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe pavarësi", ka deklaruar Bytyqi.
Ardian Bajraktari, ish-sekretar i Ministrisë së Drejtësisë, mendon se rritja e tarifave është e realizueshme. Për këtë, sipas tij, duhen ndryshime ligjore dhe vullnet politik, i cili deri më tani ka munguar. "Kjo bëhet ka qenë në vazhdimësi e bëshme, ka munguar vullneti politik për ta bërë këtë çështje sepse siç dihet kërkesat e ekipeve mbrojtëse kanë qenë në vazhdimësi që të ketë rritje të mundësisë financiare sepse në instancë të fundit çështja e një sigurimi të mbrojtjes sa më kualitative ka qenë dhe vazhdon me qenë obligim përtej ligjor", tha ai.
Arianit Koci, avokat i akredituar në Gjykatën Speciale, nuk e kundërshton një buxhet më të madh. Megjithatë, ai kërkon që çdo rritje të arsyetohet dhe që ndarja e fondeve të bëhet në mënyrë transparente. "Nuk jam kundër që me u rrit buxheti, por duhet të arsyetohet mirë, pra, nëse ka nevojë, pse jo, por duhet ta kuptojnë ekipet mbrojtëse se deri tani nuk kanë qenë shumë transparentë. Ne si publik kemi pritur më shumë komunikim, edhe më shumë komunikim me ju si media e përmes jush edhe me ne sepse kemi të bëjmë me ish-presidentin dhe zyrtarë të lartë", deklaroi Koci.
Ministria e Drejtësisë nuk është përgjigjur për ndryshimet e mundshme në aktet ligjore që do të mundësonin rritjen e pagesave për ekipet mbrojtëse.
Debati zhvillohet mbi një shifër tashmë të konsiderueshme. Sipas raportimeve të këtij muaji, nga buxheti i Kosovës janë paguar mbi 40.6 milionë euro për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar në Dhomat e Specializuara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

