Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin me nga 15 vjet burgim për Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin, të gjykuar në mungesë për dhunim seksual dhe krime lufte ndaj popullsisë civile në Kosovë më 1999.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me nga 15 vjet burgim për dy të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes ndaj aktgjykimit të shkallës së parë për veprën penale "Krimet e luftës kundër popullsisë civile".
Aktgjykimi dënues ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025. Të dy të akuzuarit u gjykuan në mungesë, pasi, sipas gjetjeve të gjykatës, ata nuk janë të arritshëm për organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Në seancën e Kolegjit të Apelit, të mbajtur më 4 qershor 2026, palët mbrojtëse deklaruan se qëndronin tërësisht pranë ankesave të parashtruara me shkrim.
Sipas aktit të gjykimit, ngjarja ka ndodhur në gjysmën e dytë të muajit maj të vitit 1999. Gjykata konstatoi se, ndonëse nuk ishte e mundur të vërtetohej data e saktë, kjo nuk e bën të paqartë përshkrimin e veprës penale dhe as nuk e cenon të drejtën e mbrojtjes. Sipas vendimit, të pandehurit, së bashku me persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur, e kishin dhunuar seksualisht viktimën duke përdorur forcën.
Ndaj aktgjykimit të parë kishin parashtruar ankesë të dyja palët mbrojtëse. Avokati Ljubinko Todoroviq, mbrojtës i Rajkoviqit, kundërshtoi gjendjen faktike të vërtetuar nga shkalla e parë, duke propozuar që i mbrojturi i tij të lirohej nga fajësia. Avokatja Milka Millosavljeviq, mbrojtëse e Deniqit, ankohej për shkelje esenciale të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar lirimin ose kthimin e lëndës në rigjykim.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Makifete Saliuka, kishte kërkuar rritjen e dënimit në 20 vjet burgim për secilin të akuzuar, duke pretenduar zbatim të gabuar të ligjit penal lidhur me sanksionin. Prokuroria e Apelit propozoi refuzimin e ankesave të mbrojtjes dhe aprovimin e kërkesës së palës së dëmtuar për vendimin mbi dënimin.
Apeli i vlerësoi të pabazuara pretendimet e mbrojtjes. Sipas gjykatës, dëshmitarja-viktimë kishte mbajtur qëndrim të pandryshueshëm, duke dhënë përshkrime të hollësishme të personave që e sulmuan dhe duke i identifikuar ata edhe përmes fotografive. Vendimi thekson se Deniqi ishte identifikuar si personi që e kishte tërhequr zvarrë viktimën në dhomë. Një dëshmitar okular kishte deklaruar se i njihte të dy të pandehurit që para luftës, pasi kishin punuar si policë, duke treguar madje edhe vendndodhjen e saktë të shtëpisë së Rajkoviqit.
Lidhur me mungesën e provave materiale si ADN-ja apo raportet mjeko-ligjore, të cilën e kishte ngritur mbrojtja e Deniqit, Apeli u shpreh se fakti i dhunimit ishte vërtetuar përmes deklaratës së viktimës dhe dëshmitarëve okularë. Këtë e mbështet, sipas vendimit, edhe njohja e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

