Në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, thotë se misioni mbetet një i vetëm: zbatimi i plotë i marrëveshjes që i njohu shqiptarët si pjesë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut.

Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, e ka shënuar përvjetorin me një thirrje të drejtpërdrejtë: marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht dhe pa tërheqje.
Sipas Meidanit, më 13 gusht 2001 Maqedonia e Veriut "zgjodhi marrëveshjen mbi konfliktin" dhe ndërtoi një rend të ri kushtetues të mbështetur në barazinë, përfaqësimin e drejtë, përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe decentralizimin. Ai e cilëson marrëveshjen si gurthemelin mbi të cilin do të funksiononte shteti më tej.
Ambasadori theksoi se dokumenti çimentoi një parim që, sipas tij, nuk mund të relativizohet: "shqiptarët janë pjesë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut dhe të drejtat e tyre janë pjesë integrale e vetë arkitekturës kushtetuese të shtetit!"
Duke vlerësuar rrugën e bërë, Meidani nënvizoi se detyra mbetet e pandryshuar. "Pas 25 vitesh, misioni mbetet NJË, i thjeshtë dhe i palëkundur: ta zbatojmë Marrëveshjen. Plotësisht, çdo ditë dhe pa kthim pas!", shkroi ai, duke i renditur si standarde themelore gjuhën shqipe sipas ligjit, përfaqësimin e drejtë me garanci reale dhe decentralizimin funksional.
"Gjuha shqipe sipas ligjit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat me garanci reale dhe decentralizimi funksional janë detyrime dhe standarde mbi të cilat është ndërtuar paqja e vitit 2001 dhe e ardhmja evropiane", theksoi ambasadori.
Meidani ripohoi edhe qëndrimin e Tiranës ndaj fqinjit. "Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë të drejtave të shqiptarëve dhe pranë një Maqedonie të Veriut sovrane, demokratike dhe evropiane. Këto dy qëndrime nuk përjashtojnë aspak njëri-tjetrin. Përkundrazi, një shtet është më i fortë kur qytetarët e tij janë, dhe ndihen, të përfshirë e të barabartë", u shpreh ai, duke e mbyllur mesazhin me urimin për 25-vjetorin e marrëveshjes.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

