Urimi për Qeverinë Kurti 4 erdhi nga Berlini me një porosi të qartë: dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të rinisë pa vonesë, sepse prej tij varet edhe rruga evropiane e Kosovës.

Në letrën që ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, i ka dërguar Albin Kurtit për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë Kurti 4, ka edhe më shumë se një urim protokollar. Diplomati gjerman i kërkon kryeministrit dhe kabinetit të tij të angazhohen për rifillimin e shpejtë të dialogut të normalizimit me Serbinë.
Rudolph e nis letrën duke kujtuar lidhjen e ngushtë dhe afatgjatë mes dy vendeve. "Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2008, partneriteti është i qëndrueshëm", shkruan ai, duke shtuar se Gjermania e vlerëson Kosovën si partner të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të stabilitetit, reformave dhe të ardhmes evropiane të rajonit.
Integrimi evropian mbetet boshti i marrëdhënies, sipas ambasadorit. "Për Gjermaninë, angazhimi i Kosovës për integrimin në BE është një shtyllë e bashkëpunimit tonë", thekson ai, duke i paralajmëruar njëkohësisht Kurtit dhe qeverisë së re një detyrë të rëndë përpara.
Pikërisht këtu lidhet porosia për dialogun. Rudolph shkruan se procesi i normalizimit me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja, vazhdon të ketë mbështetjen e Gjermanisë si garanci për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Ai shpreson që qeveria e re të punojë për rinisjen e shpejtë të tij dhe për marrëdhënie praktike, të respektueshme e të qëndrueshme, "pasi progresi në këtë drejtim do të jetë i rëndësishëm për avancimin e mëtejshëm të perspektivës evropiane të Kosovës".
Letra mbyllet me një ofertë bashkëpunimi: "Pres me padurim të punoj me ju dhe qeverinë tuaj për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të mbështetur progresin e Kosovës në këto fusha jetësore".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

