Në ditën kur pritet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ambasada amerikane në Prishtinë paralajmëron demonstrata të mëdha, mbyllje rrugësh dhe çrregullime të rënda në trafik, ndërsa personelit të qeverisë së SHBA-së i rekomandohet edhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar nga shtetasit amerikanë t'i shmangin lëvizjet nëpër disa vende në Kosovë më 16 shtator 2026, dita kur pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës së Hagës për katër ish-krerët e UÇK-së.
Sipas njoftimit të ambasadës, disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera kryesore të Kosovës. Ambasada paralajmëron se këto tubime mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe çrregullime të rënda në trafik.
Rekomandimi është konkret: kufizim i lëvizjeve në zonën përreth vendbanimeve dhe shmangje e udhëtimeve drejt vendit të punës apo shkollave, nëse rruga kalon përmes zonave të prekura. Personeli i qeverisë amerikane, ndërkaq, është këshilluar t'i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë atë ditë, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në trafik. Ambasada bën të ditur se do të jetë e hapur dhe do të ofrojë shërbime të kufizuara konsullore sipas nevojës.
Një ditë para këtij njoftimi, Policia e Kosovës reagoi ndaj publikimeve në disa portale, të cilat nuk i specifikoi me emra, që pretenduan se dihet plani policor për 16 shtatorin dhe se Kosova po blindohet në prag të vendimit të Hagës. Policia sqaroi se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë, si edhe hartimi i planeve policore, janë pjesë e procedurave të rregullta kur pritet pjesëmarrje e madhe e qytetarëve.
Si shembull, policia përmendi marshin solidarizues paqësor të 12 shtatorit 2026, duke shpjeguar se në raste të tilla masat planifikohen për menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, qarkullimin e trafikut rrugor dhe garantimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve. Qytetarëve dhe mediave u bëri thirrje të mbështeten vetëm në informacione zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara.
Në thelb të tensionit qëndron aktgjykimi që pritet të shpallet më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Aktakuza aktuale ndaj tyre është dorëzuar më 27 shkurt 2023 dhe, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së nga marsi i 1998-ës deri në shtator të 1999-ës kishin kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, mes tyre arrestim dhe ndalim të paligjshëm të civilëve, trajtim mizor, torturë, zhdukje dhe vrasje të paligjshme.
Prokurori Jack Smith i ngarkoi Thaçin, Selimin, Krasniqin dhe Veselin edhe me akuzën se ishin në dijeni të krimeve, nuk ndërmorën veprime për parandalimin e tyre, por i nxitën. Sipas aktakuzës, ata nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe vrasjen e tyre, ndërsa prokuroria pretendon se krerët e UÇK-së frikësuan, denigruan dhe eliminuan kundërshtarë për t'u pozicionuar si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës. Vrasjet, sipas prokurorisë, janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec, në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Asnjë nga këto akuza nuk është vërtetuar me vendim gjyqësor.
Përveç kësaj çështjeje, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale njoftoi për një aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, i cili u deklarua i pafajshëm. Në atë aktakuzë, Thaçi bashkë me Hajredin Kuçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për ndikim në dëshmitarë. Smakaj dhe Fazliu janë liruar me kusht më 10 shkurt 2026.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

