Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, akuzon Qeverinë në detyrë se po bën emërime pa legjitimitet përmes 18 komisioneve dhe paralajmëron kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.

Aleanca po e çon në Prokurori betejën e saj kundër emërimeve të Qeverisë në detyrë. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka njoftuar se çështja e 18 vendimeve me të cilat janë themeluar 18 komisione për emërime në agjenci ekzekutive, qeveritare dhe në pozita publike do të trajtohet me kallëzim penal ndaj personave që i kanë marrë ato.
Sipas Tahirit, këto komisione janë krijuar "dikund me njerëz të njëjtë" për të bërë emërime në një kohë kur, siç thotë ai, ekzekutivi nuk ka legjitimitet për të ndërmarrë veprime të tilla. Ai ka kërkuar që vendimet të anulohen menjëherë.
"Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione dikund, dikund me njerëz të njëjtë, për me i emëru në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare, në një pozitë si sekretar permanent në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, kur kjo qeveri nuk ka legjitimitet, kur kjo qeveri është duke e bllokuar shtetin, kur këta ministra e shkelin ligjin për qeveri, duke ardhur te u betu si deputetë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe prej këtu duke hyrë për detyrën e duhurën e tyre dhe duke shkuar në ministri. Pra, në qoftë se e shohim ligjin për qeveritë që e kam këtu, neni 31 që flet për kufizimet e qeverisë në dorëheqje, e neni 1.3 thotë kështu", deklaroi Tahiri, duke iu referuar ligjit për qeveritë.
Deputeti i Aleancës argumentoi se një qeveri në detyrë nuk duhet të nisë procedura të reja emërimesh në pozita publike. "Procedura të reja për emërimin në pozita publike për emërimin e të cilave është kompetencë në bazë të ligjeve përkatëse. Le që po vazhdojnë me bë emërimet. Le që po vazhdojnë me bë Komisionet mirëpo edhe po përgatiten që jo vetëm në nivel politik të shkeljes së ligjit të betimit deputetit, ta shkelin kushtetutën, mirëpo po ashtu edhe në administratë të shtetit", tha ai.
Tahiri e cilësoi nismën e partisë së tij si mënyrën e vetme për të penguar atë që e quan "kapje të shtetit". "Nuk guxojmë asnjë qeveri e as kjo që nuk ka legjitimitet që ta kthen administratën e shtetit në funksion të një partie. Dje kemi thënë që si aleancë nuk do të lejojmë që të kemi një parti shtet dhe sot po ju themi që kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë këto vendime të jashtëligjshme duhet të anulohen menjëherë përderisa këta anëtarë të komisionit që marrin pjesë në një procedurë të jashtëligjshme duhet të kenë shumë kujdes për shkak se aleanca këtë çështje do ta ngritë në prokurorinë përgjegjëse duke e trajtuar këtë temë përmes një kallëzimi penal për shkak se kjo është mënyra e vetme e jonë që të pengojmë një kapje të shtetit në formën më flagrante të mundshme", tha ai.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çështja e komisioneve nuk është e vetmja për të cilën partia pretendon shkelje. Sipas tij, do të ngrihen raste të tjera që lidhen me ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga deputetët e betuar. "Ditën në vijim dhe do të ngrihem prej deputetëve të tjerë. Për shkak se nuk ka shkelje, vetëm në këtë pikë. Ka shkelje edhe në pika të tjera… Pastaj, ka të bëjë me shkeljen tjetër që ndërlidhet me funksionet e dyfishta që deputeti i betuar e ushtron edhe në një zyrë ku nuk do të duhej të hynte", deklaroi Tahiri.
Ai u tërhoqi vërejtjen edhe anëtarëve të komisioneve që marrin pjesë në procedurat, duke thënë se duhet të kenë kujdes pasi çështja do të ngrihet në prokurori. Deri tani nuk ka reagim publik të Qeverisë në detyrë lidhur me akuzat.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

