Ambasada e SHBA-së në Prishtinë pret demonstrata të mëdha ditën kur në Hagë shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Organizata e Veteranëve thotë se nuk ka informacione për përkeqësim të situatës dhe ka kërkuar përmbajtje.

Një paralajmërim sigurie i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka ndryshuar tonin e pritjes së 16 shtatorit në Kosovë. Ambasada bën të ditur se atë ditë pritet të mbahen demonstrata të mëdha në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, duke këshilluar personelin e Qeverisë amerikane të shmangin udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara në Hagë shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka thënë për agjencinë KosovaPress se nuk pret përkeqësim të gjendjes dhe se veteranëve u është bërë thirrje për qetësi e përmbajtje.
"E kemi pa reagimin e Ambasadës Amerikane, kjo ka ndodhur në bazë të një analize të tyre. Si OVL, nuk kemi ndonjë informacion të mundshëm për ndonjë përkeqësim të situatës. Duhet ta dinë, se ushtarët e UÇK-së janë edhe ushtarë amerikanë, prandaj ne nuk e shohim ndonjë përkeqësim apo incident, po flas në emër të atyre që përfaqësojmë. Sa i përket Policisë, kjo është punë e tyre. Ne u kemi bërë thirrje veteranëve, që të jenë të qetë dhe të përmbajtur", ka thënë Syla.
Njëkohësisht, Syla ka tërhequr një vijë të kuqe politike: për OVL-UÇK, sipas tij, nuk do të jetë i pranueshëm asnjë vendim tjetër përveç lirimit të të akuzuarve, dhe asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta shpallë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë kriminale.
Ai ka folur edhe për datat që bien pranë njëra-tjetrës. "Ne kemi edhe një informatë tjetër që më 15 shtator, Serbia ka një ditë të vetën të flamurit dhe do të festojnë dhe ka informata që ata do ta zgjasin pak festën më tutje dhe prandaj nuk shohim nga ana jonë ndonjë provokim të situatës. Nëse do të ketë diçka, do të ishte mirë që edhe serbët e Kosovës të jenë të qetë në këtë ditë. As ata nuk duhet ta provokojnë situatën, eventualisht nëse do të ketë vendim negativ. Çdo vendim tjetër, për ne, do të jetë i papranueshëm dhe do ta kundërshtojmë sa na lejon ligji dhe kushtetuta e vendit tonë, por jo ta dëmtojmë këtë shtet… Nuk ka vendim gjyqësor që mundet me shpallë UÇK organizatë kriminale, këtë duhet ta dijë secili se lufta ka qenë e pasur sepse kemi mbrojtur vendin tonë", u shpreh Syla.
Sipas njoftimeve të tij, komuniteti serb në Kosovë kishte kërkuar ta zgjaste festën e unitetit kombëtar serb edhe më 16 shtator.
Në anën institucionale, Policia e Kosovës ka njoftuar për masa të shtuara të sigurisë në ditën e shpalljes së aktgjykimit, duke i cilësuar ato pjesë të planifikimit dhe angazhimit institucional për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Të hënën, Policia mbajti një takim koordinues me partnerë ndërkombëtarë: KFOR-in, EULEX-in, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Zyrën e BE-së dhe OSBE-në.
Drejtori i organizatës "Octapus", Arben Fetoshi, e ka cilësuar 16 shtatorin si ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën, duke theksuar se masat e sigurisë të institucioneve nuk duhet të interpretohen si paragjykim i verdiktit. Ai ka thënë se nuk pret një verdikt dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe se një vendim i tillë, sipas tij, do të kishte pasoja për mënyrën se si interpretohet lufta e vitit 1999, duke konfirmuar tezat e Serbisë për kriminalizimin e UÇK-së dhe të vendimit të NATO-s.
Mobilizimi ka kaluar edhe përtej kufijve të Kosovës. Forumi Rinor Shqiptar ka njoftuar për një aktivitet sensibilizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, i cili mbahet në Sheshin "Skënderbej" në Shkup, duke nisur nga ora 18:00. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, me qëllim, sipas tyre, përcjelljen e një mesazhi solidariteti.
"UÇK-ja është pjesë e historisë dhe lirisë së shqiptarëve. Luftëtarët e lirisë meritojnë vetëm drejtësi. Të gjithë bashkë për drejtësi. Të gjithë bashkë për çlirimtarët!", thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

