Me pranga në duar, një burrë u fut sonte në veturën e policisë në Fushë-Kosovë, disa orë pasi alarmi për një mjet shpërthyes pranë QKMF-së kishte vënë në lëvizje forca të shtuara policore. Raportohet se ai kishte kërcënuar banorët me thirrje nacionaliste.

Një person u arrestua sonte në banesën e tij në Fushë-Kosovë dhe u dërgua në stacion policor. Arrestimi erdhi në mes të një operacioni që kishte nisur disa orë më parë, me alarmin për një mjet shpërthyes pranë QKMF-së, dhe që ende vazhdon.
Sipas burimeve të cituara nga portali IndeksOnline, i dyshuari është i nacionalitetit serb dhe kishte kërcënuar banorët, duke bërë njëkohësisht thirrje nacionaliste serbe. Në një video të siguruar nga i njëjti portal shihet momenti kur ai, me duar të prangosura, futet në veturën e policisë.
Gjithçka filloi me raportimet se pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) ishte vendosur një mjet shpërthyes. Forca të shtuara policore mbërritën në vend, e rrethuan zonën me shirit dhe nisën inspektimin e vendngjarjes, ndërsa në asistencë doli edhe njësiti i zjarrfikësve. Ekipet përkatëse kanë nisur hetimet.
Policia e Kosovës ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar për rastin, ndaj nuk dihet nëse në vendngjarje u gjet ndonjë mjet shpërthyes dhe as cila është arsyeja zyrtare e arrestimit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

