Një ndryshim në trupin gjykues e ktheu në pikën zero procesin ndaj dy të akuzuarve për spiunazh në favor të shërbimit serb BIA. Prokurori special pretendon se provat përfshijnë fotoalbume nga lufta, diagrame dhe udhëtime të shpeshta Kosovë-Serbi brenda ditës.

Gjykimi ndaj dy të akuzuarve për spiunazh në favor të shërbimit serb BIA ka nisur nga e para. Të dy, B.Sh. dhe M.Q., u deklaruan përsëri të pafajshëm për akuzat se kanë mbledhur dhe dërguar te shërbimi serb informacione për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për institucionet e sigurisë së Kosovës.
Rifillimi i procesit erdhi si pasojë e një ndryshimi në përbërjen e trupit gjykues. Kryetari i trupit, gjyqtari Rrahman Beqiri, njoftoi se anëtari Vesel Ismajli po i afrohet pensionimit dhe se vendin e tij do ta zërë gjykatësja Donika Shala-Abdyli. Me trupin e ri gjykues, procedura u hap sërish që nga fillimi.
Në fjalën e tij para gjykatës, prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se provat e grumbulluara, të cilat do të administrohen gjatë gjykimit, do të vërtetojnë se të dy të pandehurit e kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer BIA-së. Ai renditi mes tyre "Raportet për hyrje-daljet për Serbi dhe kthimi në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacione dhe fotoalbume, që përmbajnë foto të luftës së Kosovës, diagrame, fotografi të përgatitura".
Vëmendja e prokurorit u përqendrua veçanërisht te provat materiale që, sipas tij, janë gjetur në posedim të B.Sh. Kodraliu pretendoi se këto prova do të tregojnë përpjekjen e të pandehurit për ta ndërlidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën "Shtëpia e Verdhë" në Shqipëri.
Sipas prokurorit, B.Sh., nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes një personi me inicialet S.R. Ndihma, pretendon prokuroria, ka konsistuar në mbledhjen dhe dërgimin e informacioneve, dokumenteve dhe librave për ngjarjet e UÇK-së, ndërsa kontaktet janë mbajtur me telefon dhe përmes takimeve fizike.
Aktakuza ndaj të dyve u ngrit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025. Ajo i ngarkon se kanë dërguar te BIA informacione e dokumente për UÇK-në, eprorët dhe pjesëtarët e saj, për Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë masakrën e Reçakut.
PSRK pretendon se pas këtyre veprimeve fshihej një synim më i gjerë: nxitja e një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Kosovës, ndërtimi i një narrative të pavërtetë që e lidh Spitalin Ushtarak të UÇK-së me "Shtëpinë e Verdhë" për gjoja trafikim organesh, si dhe vënia në dyshim e së vërtetës për masakrën e Reçakut.
Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë. Me deklarimet e tyre të përsëritura, procesi kalon tani te administrimi i provave që prokuroria thotë se do t'i mbështesin pretendimet e saj.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

