Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00, seancën e shpalljes së Aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëakuzuarve të tij. Gjykata paralajmëron radhë të gjata në hyrje dhe prani të policisë holandeze përjashta.

Në orën 10:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, më 16 shtator 2026, në sallën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë lexohet Aktgjykimi në çështjen "Prokurori i Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve". Është seanca që pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëakuzuarve të tij.
Në një njoftim drejtuar personave të akredituar për të ndjekur seancën, gjykata ka sqaruar radhën e hyrjes dhe rregullat e pjesëmarrjes. "Në vijim të e-mailit të konfirmimit që ju është dërguar më herët, duam të theksojmë disa detaje logjistike lidhur me ardhjen në ndërtesën e DHSK-së dhe pjesëmarrjen tuaj në seancë", thuhet në njoftim.
Adresa dhe pika e hyrjes janë përcaktuar saktë: "Adresa e DHSK-së është: Raamweg 47, 2596 HN, The Hague. Të gjithë personat që do ta ndjekin seancën nga galeria për publikun ose qendra për median / salla e shtypit, duhet të paraqiten te hyrja për publikun që është porta hyrëse në qendër të ndërtesës (shihni foton bashkëlidhur)."
Pjesa më e ndjeshme e njoftimit lidhet me sigurinë dhe me numrin e njerëzve që pritet të mblidhen para gjykatës. "Ju lutemi vini re se për shkak të numrit të madh të vizitorëve dhe përfaqësuesve të medias që do të ndjekin seancën, mund të duhet njëfarë kohe për të hyrë në ndërtesë. Sikurse mund ta dini, në media është raportuar se është bërë thirrje për mobilizimin e një numri të madh njerëzish për të udhëtuar për në Hagë më 15 dhe 16 shtator 2026. Ju informojmë se policia holandeze do të jetë e pranishme jashtë ndërtesës", ka bërë të ditur gjykata.
Për ndjekësit në galerinë e publikut, oraret janë strikte. "Seanca fillon në orën 10:00, sipas orës së Evropës Qendrore. Për të siguruar hyrjen tuaj në galerinë për publikun, ju lutemi të arrini midis orës 08:30 dhe 09:00", thuhet në pikën e shtatë të njoftimit, ndërsa pika e tetë kërkon dokument identifikimi: "Ju lutemi siguroni që të sillni një dokument identifikimi të vlefshëm që përfshin edhe datën e lindjes, të njëjtin dokument numrin e të cilit na keni dhënë gjatë regjistrimit."
Çështja mbahet nën emërtimin zyrtar "Prokurori i Specializuar k. Thaçit dhe të tjerëve", me Zyrën e Prokurorit të Specializuar si palë akuzuese. Përmbajtja e Aktgjykimit mësohet vetëm në seancë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

