Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur dënime nga 13 deri në 25 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Vendimi ka nxitur reagime të shumta, mes tyre edhe një postim të këngëtares Rita Ora me emblemën e UÇK-së.

Katër emrat që qëndruan në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë marrë dënime me burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Sipas aktgjykimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Ora të tëra para se gjykatësit të lexonin vendimin, mijëra qytetarë ishin mbledhur në Prishtinë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Procesi ndaj tyre ka qenë prej vitesh një nga çështjet më të ndjeshme për shoqërinë kosovare dhe shpallja e aktgjykimit ka prodhuar një valë reagimesh në Kosovë e më gjerë, duke marrë vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.
Mes reagimeve publike ka qenë edhe ai i këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora. Ajo ka rishpërndarë në InstaStory një postim të faqes “Image of Kosovo”, në të cilin shfaqet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shoqëruar me mbishkrimin: “Duke luftuar për Kosovë, që e quajmë shtëpi sot”. Rishpërndarja është bërë pa asnjë deklaratë shtesë nga këngëtarja, e cila në vazhdimësi ka shprehur lidhjen e saj me Kosovën dhe me prejardhjen shqiptare.
Ende nuk janë bërë publike reagime zyrtare nga të dënuarit apo nga mbrojtja e tyre.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

