Hetuesit e krimeve të luftës kanë trokitur që në agim në disa lokacione në veri të Kosovës. Në qendër është një varrezë e zbuluar së fundmi dhe vrasja e civilëve, mes tyre dyshohet se ka edhe intelektualë të kohës.

Njësia për hetimin e krimeve të luftës ka nisur në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në veri të Kosovës, me shënjestër rreth dhjetë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e civilëve gjatë luftës.
Operacioni, sipas informacioneve të siguruara nga gazeta Sinjali, është autorizuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa bastisjet në disa lokacione kryhen me urdhra të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Njësinë hetuese e mbështesin njësi të tjera të specializuara dhe kapacitete shtesë sigurie. Për shkak të natyrës së operacionit dhe vlerësimit të rrezikut, në terren janë angazhuar edhe njësi speciale.
Hetimi lidhet me një rast të rëndë vrasjeje civilësh dhe me një varrezë të zbuluar së fundmi, ku dyshohet se janë gjetur mbetje të personave të vrarë gjatë luftës. Mes viktimave dyshohet se ka intelektualë dhe veprimtarë të kohës. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë rrethanat se si ata u ndaluan, u vranë dhe u zhdukën.
Gjatë bastisjeve pritet të sekuestrohen armë, dokumente, pajisje elektronike dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova. Nuk dihet ende sa prej të dyshuarve gjenden në vendbanimet e tyre dhe sa mund të jenë jashtë Kosovës. Aksioni vazhdon dhe për momentin nuk ka një bilanc përfundimtar të të arrestuarve apo të provave të sekuestruara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

