Agjencia Kosovare e Privatizimit hap një valë të re shitjesh me 258 asete në të gjashtë rajonet, nga njësi bujqësore te depo e prona banimi. Ofertat mbyllen më 9 shtator 2026.

Toka bujqësore, prona banimi, objekte komerciale, depo dhe lokale afariste — gjithsej 258 asete dalin në shitje në një valë të vetme që përfshin të gjashtë rajonet e Kosovës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur shitjen e re të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, në kuadër të Shitjes së Aseteve me Likuidim nr. 75 (ShAL 75). Sipas AKP-së, ofertat variojnë nga njësi të vogla të përshtatshme për investitorë individualë deri te prona më të mëdha me potencial për zhvillim rural, agrobiznes dhe projekte banimi.
Një pjesë e pronave, thekson Agjencia, kanë tokë të përshtatshme për bujqësi intensive dhe pemëtari, ndërsa të tjerat ofrojnë mundësi për zhvillim të banimit, investime afariste, logjistikë dhe magazinim. "Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime", thuhet në njoftimin e AKP-së.
Ofertat e mbyllura duhet të dorëzohen më 9 shtator 2026, në Sallën e konferencave të Hotelit Grand në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në 12:00. Ato duhet të shoqërohen me depozitën dhe tarifën për paraqitjen e ofertës, sipas kushteve të përcaktuara për secilën njësi. Hapja e ofertave do të bëhet po atë ditë, duke filluar nga ora 12:30.
AKP ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe palët e interesuara mund të marrin informata shtesë dhe të vizitojnë pronat në shitje. "AKP fton të gjithë të interesuarit, individë, biznese, diasporë dhe investitorë të huaj, që të aplikojnë përmes një procesi transparent dhe të mbikëqyrur dhe të mos e humbin këtë mundësi për të investuar në prona me vlerë dhe me potencial të madh zhvillimor", thuhet në njoftim.
Për kushtet e plota të pjesëmarrjes, Agjencia ka udhëzuar të interesuarit të kontaktojnë institucionin ose të konsultojnë informacionet në faqen e saj zyrtare.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

