Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se heqja e përfaqësuesit të komunave nga Bordi i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë nuk është teknikalitet, por ndëshkim politik për qëndrimet e tij publike.

Pas tetë vjetësh me një ulëse dhe me të drejtë vote, komunat e Kosovës rrezikojnë të mbeten jashtë tryezës ku vendoset për paratë e efiçiencës së energjisë. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) e ka quajtur këtë largim hakmarrje të drejtpërdrejtë institucionale nga Qeveria.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se heqja e përfaqësuesit të komunave nga Bordi i Drejtorëve i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) nuk mund të trajtohet si ndryshim teknik, por si pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve publike të Asociacionit dhe e mbrojtjes së interesave të komunave.
Sipas AKK-së, që nga themelimi i FKEE-së përmes Ligjit për Efiçiencën e Energjisë në vitin 2018, komunat kanë pasur përfaqësuesin e tyre në Bordin e Fondit, të emëruar nga vetë Asociacioni dhe me të drejtë vote. Ibrahimi e cilëson këtë një praktikë institucionale tetëvjeçare, të cilën, sipas tij, Ministria e Ekonomisë e ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme.
Asociacioni pretendon se edhe Grupi Punues për hartimin e Projektligjit të ri kishte vendosur që AKK-ja të vazhdonte ta kishte përfaqësuesin e vet në Bord, por ky rekomandim, thonë ata, nuk ka përfunduar në versionin final të Projektligjit të përgatitur nga Ministria e Ekonomisë.
Ibrahimi e lidh vendimin me kundërshtimin e AKK-së ndaj centralizimit dhe me angazhimin e saj për mbrojtjen e autonomisë lokale. Argumenti kryesor i Asociacionit është kushtetues: komunat janë nivel i veçantë i qeverisjes dhe, sipas tij, nuk mund të përfaqësohen nga institucionet e nivelit qendror, por vetëm nga një përfaqësues i mandatuar drejtpërdrejt prej tyre.
Në Bordin e Fondit, thekson Ibrahimi, katër ulëse u takojnë institucioneve të nivelit qendror. Mungesa e zërit komunal, sipas tij, do të cenonte partneritetin institucional, pikërisht atje ku komunat mbajnë barrën praktike: në objektet komunale realizohen investime të konsiderueshme në efiçiencë të energjisë, komunat marrin përgjegjësi financiare dhe zbatuese dhe vënë në dispozicion pronën publike komunale.
Kërkesa e Asociacionit drejtuar Ministrisë së Ekonomisë është e prerë: rikthimi në Projektligj i dispozitës që i garanton AKK-së një përfaqësues në Bordin e Drejtorëve të FKEE-së, me të drejtë vote. AKK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kundërshtojë atë që e konsideron përpjekje për përjashtimin e saj nga mekanizmat institucionalë të vendimmarrjes.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë nuk kanë reaguar ndaj akuzave.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

