Një operacion i agjencisë amerikane të imigracionit përfundoi me të shtëna në veri të Manhatanit, ndërsa, sipas një zyrtari të lartë, në makinën e qëlluar ndodhej edhe një fëmijë pesëvjeçar. Guvernatorja Kathy Hochul kërkon llogari të plotë nga autoritetet federale.

Një fëmijë pesëvjeçar ishte ulur në sediljen e pasme të një automjeti kur agjentët e Agjencisë amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) hapën zjarr të enjten pasdite në veri të Manhatanit, në Nju Jork, sipas një zyrtari të lartë. Një person u qëllua dhe pritet të mbijetojë.
Të shtënat ndodhën rreth orës 16:00, gjatë një operacioni të ICE përgjatë rrugës Marble Hill Avenue, sipas tre burimeve nga organet e rendit të njohura me çështjen. Njëri prej tyre tha se personi i qëlluar ndodhej me sa duket brenda një automjeti kur të paktën një oficer shkrepi armën.
Vendngjarja u kthye shpejt në zonë hetimi të gjerë. Forcat e rendit rrethuan një sedan të zi, që besohet të jetë automjeti ku u qëllua personi. Në vend mbërritën Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe FBI, krahas Policisë së Nju Jorkut (NYPD).
Sipas disa burimeve nga organet e rendit, ekipi i agjentëve të ICE ndodhej në lagje në kërkim të një burri me të kaluar kriminale. Një zyrtar i lartë e përshkroi të dyshuarin si person që ishte arrestuar në të kaluarën për grabitje, arrestim që përfundoi me dënim për vjedhje të rëndë, dhe që ka aktualisht një çështje të hapur për drogë. Nuk është bërë e ditur nëse personi i plagosur është i njëjti me burrin që kërkonin agjentët.
NYPD e konfirmoi incidentin në një postim në rrjetin social X, duke ua atribuar të shtënat "agjentëve federalë të zbatimit të ligjit". Policia e qytetit u distancua qartë nga operacioni: "NYPD nuk ishte e përfshirë në incident dhe nuk ishte në vendngjarje në kohën e të shtënave. Personi që u qëllua ndodhet në një spital aty pranë dhe aktualisht është i vetëdijshëm dhe po merr kujdes mjekësor", deklaroi ajo.
Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, tha se ishte informuar për ngjarjen dhe se pret një raport të hollësishëm nga autoritetet federale. "Presim që autoritetet federale të japin një llogari të plotë dhe transparente për rrethanat që lidhen me këtë incident. Njujorkezët meritojnë të dinë saktësisht se çfarë ndodhi dhe pse", shkroi Hochul në X.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

