Pronarët e banesave merrnin kontrata qiraje që i besonin si të rregullta dhe pagesat në kohë. Në realitet, shtëpitë e tyre ishin kthyer në ambiente kultivimi kanabisi. Pesë persona u dënuan nga Gjykata e Luton Crown.

Kontratat dukeshin të rregullta, qiraja vinte në kohë dhe pronarët e banesave nuk kishin arsye të dyshonin. Prapa tyre, sipas policisë së Bedfordshire, funksiononte një rrjet i organizuar që kishte kthyer 19 shtëpi në ambiente për kultivimin e kanabisit, të siguruara përmes një agjencie imobiliare në Britaninë e Madhe.
Gjykata e Luton Crown i dënoi më 10 shtator pesë persona me mbi 14 vite burg në total, pas hetimit të zhvilluar nga ekipi Operation Costello i policisë. Në qendër të skemës ishte Sarfraz Farooq, 46 vjeç, drejtor i agjencisë imobiliare "Condor Estates" dhe banues në St Catherines Avenue të Lutonit, i cili u dënua me 8 vite e 4 muaj burg për rolin në komplotin për kultivimin e kanabisit dhe për aktivitetet e lidhura me mashtrimin. Atij iu ndalua gjithashtu për 10 vite ushtrimi i funksionit të drejtorit të një kompanie.
Sipas policisë, hetimi zbuloi një rrjet të sofistikuar kriminal që vepronte përmes agjencisë, i lidhur me kultivimin e kanabisit, kontrata të falsifikuara qiraje, blerjen e pajisjeve hidroponike dhe pastrimin e parave. Farooq ishte përgjegjës për një sasi të konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, përfshirë kontrata të rreme qiraje për prona që më pas shndërroheshin në serra. Ai përdorte banesa të pronarëve që ia kishin besuar agjencisë për t'i dhënë me qira në mënyrë të ligjshme, duke u dorëzuar kontrata që ata i besonin si të rregullta, bashkë me pagesat e qirasë.
Gjatë vitit 2024, autoritetet kryen kontrolle në 20 prona, 19 prej tyre në Luton dhe një në Milton Keynes. Në 19 nga 20 u zbuluan ambiente kultivimi, ndërsa në pronën e mbetur u gjetën pajisje të përdorura për këtë qëllim. Policia sekuestroi afro 2,000 bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur deri në 800 mijë paund. Sipas autoriteteve, po të mos ishte zbuluar aktiviteti, prodhimi mund të kishte gjeneruar kanabis me vlerë tregu mbi 2 milionë paund brenda vetëm 12 muajve.
Rol qendror në ngritjen e ambienteve kishte Uan Gogu, 42 vjeç, banues në Ashcroft Road të Lutonit, i cili përdorte pronat e lidhura me Farooq dhe organizonte instalimin e pajisjeve hidroponike. Ai ishte i përfshirë edhe në ndërhyrje të paligjshme në matësit e energjisë elektrike, duke krijuar një rrezik të madh sigurie: në tre nga pronat shpërthyen zjarre. Gogu u dënua me 6 vite e gjashtë muaj burg për veprat e lidhura me komplotin dhe posedimin në kuadër të kultivimit të kanabisit.
Tre të tjerë morën dënime me kusht. Zohaib Riaz Ali, 33 vjeç, banues në Biscot Road të Lutonit, që ndihmonte aktivitetin përmes blerjes së pajisjeve hidroponike, u dënua me katër muaj burgim të pezulluar për 12 muaj, pasi kishte nxitur qëllimisht kryerjen e veprës penale. Glentjan Sefaj, 29 vjeç, banues në Latimer Drive të Hornchurch, mori tetë muaj burgim të pezulluar për 18 muaj për përfshirjen në komplot. Mohammed Farooq, 76 vjeç, banues në St Catherines Avenue të Lutonit, i cili kishte blerë me para në dorë një pronë që më vonë u zbulua se ishte kthyer në ambient kultivimi, u dënua me nëntë muaj burgim të pezulluar për 12 muaj për rolin e tij në pastrimin e parave.
Detektivi kryeinspektor Simon Mullan, nga ekipi Operation Costello, e cilësoi rezultatin si të rëndësishëm kundër një rrjeti të organizuar kriminal që vepronte në shkallë të gjerë në të gjithë qarkun. Ai theksoi se aktiviteti i trafikut të drogës shkon përtej shitësve në rrugë dhe se pronarët e banesave mund të përballen me dëmtime të rënda dhe me prona të lëna në gjendje të amortizuar, duke u bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë në lagjet e tyre.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

