Një kilogram kokainë i shitur për 27 mijë euro dhe gati pesë kilogramë të sekuestruar gjatë kontrolleve policore: Prokuroria Speciale ka çuar në gjyq tre të pandehur, dy prej tyre edhe për pistoleta pa leje.

Gati pesë kilogramë kokainë, saktësisht 4 kilogramë e 955,62 gramë, janë sekuestruar gjatë kontrolleve policore në rastin për të cilin Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet A.I., B.M. dhe F.U. Ata ngarkohen me shitje të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa dy prej tyre edhe me posedim të paautorizuar të armëve.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Sipas saj, më 22 prill 2025, rreth orës 15:00, të pandehurit dyshohet se kanë shitur një kilogram kokainë në vlerë prej 27 mijë eurosh, duke vepruar në bashkëkryerje dhe pas një koordinimi paraprak mes tyre.
Përveç drogës, sipas Prokurorisë, policia gjeti edhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve.
B.M. dhe F.U. përballen edhe me akuzën për armë zjarri. Prokuroria pretendon se të dy, nga një datë e papërcaktuar deri më 22 prill 2025, kanë mbajtur në pronësi dhe nën kontroll pistoleta në Prishtinë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.
Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës edhe konfiskimin e pasurisë për të cilën është nxjerrë urdhër ndalues përfundimtar, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Të tre të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

