Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të koncentratit për lopë qumështore "SELECT MILK GR" pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1, dhe ka pezulluar për 30 ditë importin e ushqimit me bazë misri për gjedhe nga Serbia.

Një koncentrat që ushqen lopët qumështore në fermat e Kosovës është nxjerrë urgjentisht nga qarkullimi. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e produktit "SELECT MILK GR" pasi laboratorët konfirmuan tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në ushqimin për kafshë.
Sipas AUV-it, produkti i konstatuar jokonform është koncentrati për lopë qumështore "SELECT MILK GR", i prodhuar nga DE HEUS D.O.O. në Republikën e Serbisë dhe i importuar në Kosovë nga N.P.T. "Haxhijaha" SH.P.K., me bazë në Rahovec.
Masat prekin dy lote të identifikuara me numrat 0385010426007 dhe 0385020426001. Masat përfshijnë "LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001, deri në verifikimin përfundimtar të lidhjes së secilit LOT me mostrën dhe mospërputhjen e konstatuar". Është urdhëruar tërheqja e produktit, izolimi i sasive të mbetura dhe gjurmimi i shpërndarjes së tij deri te operatorët dhe fermat ku është përdorur. AUV u bën thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që posedojnë produktin "SELECT MILK GR" nga LOT-et e identifikuara më sipër, të mos e përdorin dhe të mos e vendosin në qarkullim, ta mbajnë të veçuar dhe të bashkëpunojnë me AUV-në dhe operatorin përgjegjës për procedurën e tërheqjes", ka njoftuar agjencia.
Përveç tërheqjes, AUV ka vendosur një masë të përkohshme parandaluese me kohëzgjatje 30 ditë ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara ose të deklaruara nën kodin tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Republikën e Serbisë. Gjatë kësaj periudhe, agjencia do të kryejë një vlerësim të dokumentuar të rrezikut, mbi bazën e rezultateve laboratorike dhe kontrolleve zyrtare, për të përcaktuar masat e mëtejshme.
Paralelisht janë intensifikuar kontrollet për AFB1 në misër dhe në produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve, me fokus të veçantë te ushqimi për lopët qumështore. Në periudhën fillestare zbatohen masa të shtuara të kontrollit, mostrimit dhe analizave laboratorike.
Pse alarmi. "Aflatoksina B1 (AFB1) është një substancë toksike që mund të jetë e pranishme në misër dhe ushqimin për kafshë. Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aflatoksinat paraqesin shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi. Kur lopët qumështore konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e saj mund të metabolizohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht. Për këtë arsye, kontrolli i AFB1 që në ushqimin për kafshë është i rëndësishëm për parandalimin e kalimit të aflatoksinave më tej në zinxhirin ushqimor. AUV do të vazhdojë kontrollet në kufi dhe brenda vendit, mostrimin, analizat laboratorike dhe gjurmueshmërinë e produkteve. Qëllimi i masave është identifikimi dhe ndërprerja e rrezikut që në burim, mbrojtja e shëndetit të kafshëve, siguria e prodhimeve me bazë shtazore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve", thuhet në njoftimin e agjencisë.
Lidhja e secilit lot me mostrën dhe mospërputhjen e konstatuar mbetet për t'u verifikuar përfundimisht, ndërsa gjurmimi i shpërndarjes deri te fermat ku produkti është përdorur vazhdon.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

