Ligje që prekin drejtpërdrejt ekonominë, financat dhe reformat e kërkuara nga BE-ja mbeten pa u miratuar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit po ngushtohet. Ekspertët paralajmërojnë se një krizë e re politike mund të kushtojë miliona euro.

Ndarjet buxhetore, ligjet për Planin e Rritjes, disa marrëveshje ndërkombëtare dhe projektligji për Dhomat e Specializuara vazhdojnë të presin në Kuvendin e Kosovës, ndërsa vendi po i afrohet 6 tetorit, afatit të fundit për zgjedhjen e presidentit. Pa një zgjidhje politike, këto akte rrezikojnë të mbeten pezull edhe më gjatë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e pyetur për vonesat, ka deklaruar se projektligjet do të trajtohen së shpejti në parlament. Ajo nuk ka dhënë një datë konkrete.
Njohësit e fushës kërkojnë më shumë se një premtim. Sipas tyre, ligji për ndarjet buxhetore, ligjet për Planin e Rritjes dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të kalojnë në seancë më së largu në fillim të javës së ardhshme, pasi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, financa dhe në përmbushjen e reformave që kërkon Bashkimi Evropian.
"Do të duhej që disa çështje kryesore të shkonin përpara. Veçanërisht ligjet që lidhen me Planin e Rritjes, ligji për ndarjet buxhetore, dy-tri ligje që mund të lidhen me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Do të duhej t’i kushtohej kujdes të veçantë edhe projektligjit për Dhomat e Specializuara", tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD.
Rruga drejt miratimit nuk varet vetëm nga shumica: për disa prej këtyre ligjeve nevojiten edhe votat e opozitës. Ekspertët paralajmërojnë se një krizë e re politike nuk do të sillte vetëm zgjedhje të reja, por edhe ngadalësim të reformave, vonesa në ligjet që prekin jetën e qytetarëve dhe humbje prej miliona eurosh.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

