Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se partitë janë dakorduar të dalin me emra konkretë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por kërkojnë ende kohë për konsultime të brendshme.

Bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës kalojnë në fazën e emrave. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se palët janë dakorduar që në takimin e radhës të vijnë me kandidatura konkrete për postin e presidentit apo presidentes së Republikës.
Sipas Abdixhikut, kriteret për figurën e re në krye të shtetit tashmë janë të qarta. Ai theksoi se subjektet politike kanë kërkuar një periudhë shtesë për të diskutuar dhe konsultuar një emër specifik, si brenda partive ashtu edhe me shoqërinë.
"Nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë, secili në mënyrën e vet, para se të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifikë, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme, por në fund të ketë një emër", tha Abdixhiku.
Deklarata e kreut të LDK-së tregon se procesi për zgjedhjen e presidentit synon të përqendrohet, në fund, në një kandidaturë të vetme, të dakorduar mes subjekteve pjesëmarrëse në bisedime.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

