Pas 21 ditësh protestë para Kuvendit, deputetët e Kosovës miratuan në orët e vona ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale pa asnjë votë kundër. Seanca u kthye menjëherë drejt sfidës tjetër: zgjedhja e kreut të shtetit, me afatin që po mbaronte brenda pak minutash.

Asnjë votë kundër, asnjë abstenim. Me 88 vota pro, Kuvendi i Kosovës miratoi në orët e vona, në lexim të dytë, projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjykata që njihet gjerësisht si Speciale. Pak çaste më vonë, në sheshin para Kuvendit, protestuesit nisën festën.
Nga 89 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm një nuk mori pjesë në votim. Projektligji ishte pika e parë e rendit të ditës dhe u votua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës. Nisma ishte e PDK-së, ndërsa Vetëvendosja dhe Aleanca i dhanë mbështetjen e tyre.
Ligji ishte kërkesa kryesore e protestuesve, të cilët kishin 21 ditë në shesh, që nga dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Edhe gjatë seancës së fundit, ata qëndruan për orë të tëra para ndërtesës së Kuvendit, në pritje të rezultatit, pa u bërë të ditura publikisht detajet e ndryshimeve që sjell teksti i miratuar.
Një nga aktivistët e protestës e quajti votimin një ditë të madhe për ata që nuk e lëshuan sheshin. "Fitorja e sotme është e madhe. 21 ditë qëndruam, duruam në shesh, pa u lodhur, pa u thyer dhe tash, në orë të vona, me ballin lart", tha ai.
Por nata në Kuvend nuk mbaroi me këtë votim. Menjëherë pas miratimit të projektligjit, deputetët do të kalonin te votimi për presidentin, në një garë të hapur me kohën: deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit kishin mbetur vetëm pak minuta.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

