Dy muaj para sezonit të ngrohjes, ngrohtorja e Prishtinës drejtohet me ushtrues detyre dhe pa bord të plotë, ndërsa Banka Gjermane për Zhvillim paralajmëron se mund të ndërpresë një ndihmë prej 87 milionë eurosh.

Ngrohtorja e kryeqytetit, Termokos, po përballet me një krizë të dyfishtë: një drejtim të paqëndrueshëm në brendësi dhe rrezikun për të humbur një fond të jashtëzakonshëm prej 87 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).
Nga mesi i prillit ndërmarrja funksionon me ushtrues detyre, ndërsa bordi i saj vazhdon të mbetet i pakompletuar. Prej katër muajsh detyrën e kryeshefit ekzekutiv e ushtron Raif Vitija. E gjithë kjo ndodh në një moment ndjeshëm delikat: ngrohtores i kanë mbetur edhe vetëm dy muaj deri në fillimin e punës për sezonin dimëror.
Problemi më i madh vjen nga jashtë. Sipas KfW-së, Termokosi po ballafaqohet me 159 nënstacione të pakontrolluara, ndërsa impianti i degazifikimit është jofunksional. Në një letër drejtuar ndërmarrjes, banka gjermane ka shprehur shqetësim edhe për vonesat në sigurimin e tokës dhe të lejeve.
Këto vërejtje kanë vënë në rrezik ndihmën prej 87 milionë eurosh, e cila ishte parashikuar të avanconte zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. KfW-ja ka shkuar më tej, duke paralajmëruar se mund ta ndërpresë krejtësisht mbështetjen.
Shqetësime ka ngritur edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ai ka theksuar se Qeverisë i është dashur të bëjë përpjekje të mëdha për të siguruar financimin e këtij projekti, përfitues të të cilit janë banorët e Prishtinës. Sipas Muratit, pjesa më e madhe e financimit është grant, falë mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. Ministri e ka konsideruar të papranueshme që projekti të vihet në rrezik për shkak të asaj që ai e cilësoi si keqmenaxhim të ndërmarrjes Termokos nga Komuna e Prishtinës.
Marrëveshja për këtë projekt ishte nënshkruar më 11 dhjetor 2023 dhe parashihte ndërtimin e një ngrohtoreje diellore. Sipas planit, projekti do të kyçte 38 mijë qytetarë të rinj në rrjetin e Termokosit dhe do të zvogëlonte varësinë e ngrohjes nga qymyri.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

