Pas dënimeve të Hagës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thërret Këshillin Drejtues për të shqyrtuar situatën, ndërsa deputeti që votoi për themelimin e Gjykatës Speciale thotë se pendohet vetëm për atë votë.

Dita pas verdiktit më të rëndë që Kosova ka marrë nga Haga nis me një mbledhje urgjente: Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) mbledh sot në selinë qendrore Këshillin Drejtues dhe strukturat e saj, e më pas del para mediave.
"Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të enjten në ora 12:00, do të mbledhë në selinë qendrore Këshillin Drejtues dhe strukturat e saj, për të shqyrtuar situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale", thuhej në njoftimin e organizatës, publikuar një ditë më parë.
Situata për të cilën flitet është aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë shqiptuar gjithsej 81 vjet burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi po ashtu me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Bëhet fjalë për një aktgjykim të shkallës së parë, të dhënë pas një procesi që nisi në prill të vitit 2023, ndërsa të akuzuarit ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Dënimet erdhën për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Gjykata ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor kundër 49 personave, torturën kundër 303 personave dhe vrasjen e paligjshme kundër 96 personave. Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile, si dhe për një numër incidentesh të tjera të cilësuara krime lufte.
Të mërkurën, kur u bë publik vendimi, Kosova u përball me një prej zhvillimeve më të rënda që nga përfundimi i luftës. Reagimi më i ashpër politik erdhi nga Adem Grabovci, ish-i burgosur politik dhe deputet, njëri nga ata që votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale. Në një prononcim për "Front Online", ai tha se vota e tij ishte dhënë me bindjen se akuzat nuk do të qëndronin.
"Unë jam njëri ndër deputetët që kam votuar pro Gjykatës, me besimin tek partnerët tanë, në besim të plotë në pastërtinë e luftës çlirimtare. Ato akuza dhe pretendime mbi bazën e të cilave është ndërtuar kjo Gjykatë, raporti i Dick Marty-t, kanë qenë akuza jo vetëm të papranueshme, por të paimagjinueshme", u shpreh Grabovci.
Sot, sipas tij, ajo votë është e vetmja gjë për të cilën ndihet i penduar. "Kurrë në jetën time nuk jam penduar për veprimet që kam bërë, përveç votës që i kam dhënë për themelimin e kësaj Gjykate", potencoi ai, duke shtuar: "Unë dhe çdo ushtar i UÇK-së kemi luftuar kundër diçkaje të tillë dhe jo për të bërë veprime të tilla".
Grabovci shkoi më tej, duke pretenduar se gjykata i ka shmangur qëllimit për të cilin u krijua. "Gjykata ka devijuar nga bazamenti dhe qëllimi se pse është themeluar. Është dëshmuar qartë se hartues të atij raporti janë shërbimet serbo-ruse", deklaroi ai. Ai paralajmëroi edhe një nismë ndaj ish-kolegëve të tij deputetë: "Do të angazhohem dhe do t'u bëj thirrje të gjithë deputetëve që e kanë votuar këtë Gjykatë ta tërheqin votën e tyre pas kësaj padrejtësie e paturpësie që po e bën drejtësia ndërkombëtare me luftën e UÇK-së".
Ndërkohë, aktgjykimi po lexohet edhe jashtë kornizës politike. Historiani Konrad Clewing, i intervistuar nga DW, vlerëson se trupi gjykues ka bërë një ndarje më të kujdesshme të përgjegjësive sesa akuza, e cila kishte kërkuar nga 45 vjet burg për secilin prej të katërve.
"Nga njëra anë, gjykata arriti më mirë se prokuroria të dallojë përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vjet burg për secilin prej të katërve. Gjykata tani bën një diferencim më të madh dhe arrin në dënime shumë të ndryshme. Megjithatë, për mua si historian mbetet një vështirësi themelore. Gjykata vazhdon të punojë me konceptin e 'Joint Criminal Enterprise', pra të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Dhe këtu, sipas meje, ekziston rreziku që përgjegjësia individuale dhe përgjegjësia e një grupi të shkrihen sërish me njëra-tjetrën. Dhe sipas mendimit tim, vendimi nuk e merr sa duhet parasysh strukturën e veçantë të një lufte guerile", thotë Clewing.
Dy pika të aktgjykimit i duken atij veçanërisht problematike. E para lidhet me Thaçin: "Një pikë që mua, si historian, më duket veçanërisht e çuditshme është kjo: në rastin e Thaçit, gjykata cakton një dënim individual prej 15 vjetësh për arrestim dhe privim lirie të paligjshëm ose arbitrar. Këtë e konsideroj historikisht të rëndësishme. Si mund të veprojë ushtarakisht një forcë guerile që nuk mund të marrë askënd rob?"
E dyta ka të bëjë me Selimin. "Sipas mënyrës se si e lexoj unë arsyetimin e vendimit, atij i atribuohet përgjegjësi edhe për faktin se ka marrë pjesë në ndarjen e zonave operative dhe, si rrjedhojë, edhe për burgjet e paligjshme që ekzistonin në këto zona. Si historian, këtu shoh një problem: vetë fakti që dikush ka marrë pjesë në ndarjen e zonave ushtarake nuk mund të përbëjë krim në vetvete. Vendimtare është se çfarë përgjegjësie konkrete ka pasur ai për burgjet e paligjshme dhe për krimet e kryera aty", thotë historiani.
Clewing ndalet edhe te mesazhi që, sipas tij, e tejkaloi rastin konkret gjatë caktimit të dënimeve. "Interesante ishte edhe se gjatë caktimit të dënimit, gjykatësi tha se lartësia e dënimeve duhet të japë edhe një sinjal për komunitetin ndërkombëtar dhe jurisprudencën ndërkombëtare. Natyrisht, është e rëndësishme të thuhet: dhuna e paligjshme dhe vrasjet ndëshkohen. Por nuk mund të jetë qëllimi që luftërat partizane dhe guerile të bëhen praktikisht të pamundura. Përndryshe, edhe dikush që bën rezistencë për një kauzë sado të drejtë do ta kishte pothuajse të pamundur të merrte përgjegjësi ushtarake në një luftë guerile", deklaroi ai.
Nga Beogradi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e paraqiti vendimin si dëshmi se UÇK-ja ka qenë, sipas tij, një organizatë kriminale.
Aktgjykimi mbetet i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

