Një ngarkesë prej 127 pakosh me kanabis të llojit të njohur si "Gelato", me vlerë afro një milion euro, u ndalua në Portin e Durrësit. Policia e Shqipërisë arrestoi tre shtetas të Kosovës, njëri prej të cilëve dyshohet se është zyrtar komunal në Gjakovë.

Rreth 80 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike, e paketuar në 127 pako, u zbulua në Portin e Durrësit gjatë një aksioni madhor antidrogë të njoftuar sot nga Policia e Shqipërisë. Në pranga përfunduan tre të dyshuar, të gjithë shtetas të Kosovës.
Sipas policisë, bëhet fjalë për kanabis me përmbajtje të lartë THC, të njohur në treg me emërtimin "Gelato", me vlerë afro një milion euro. Ngarkesa dyshohet se ishte siguruar në Kanada dhe po transportohej drejt Shqipërisë dhe Kosovës. Veprimet hetimore intensive dhe të koordinuara mundësuan, sipas policisë, dokumentimin e një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Përveç drogës, gjatë aksionit u sekuestruan tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro.
Ndër të arrestuarit është Taulant Duraku, 32 vjeç, si dhe një 26-vjeçar i identifikuar me inicialet L.G. I treti dyshohet se është Besfort Jaka, 40 vjeç, zyrtar komunal në Gjakovë, i cili, sipas raportimit të portalit IndeksOnline, ishte sistemuar së fundmi me një pozitë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Ky identifikim nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Të tre mbeten të dyshuar deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

