Në ditën e 80-të të protestave në Shqipëri, aktivistja Edlira Çepani thotë se qytetarët nuk kërkojnë vetëm largimin e një personi nga pushteti, por një ndryshim të thellë të mënyrës se si bëhet politika.

Lëvizja që prej 80 ditësh mbush sheshet kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij nuk ka për qëllim thjesht zëvendësimin e njerëzve në pushtet, por përmbysjen e vetë kulturës politike. Këtë vlerësim e bëri aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në studion e News24, ku analizoi qëndresën e gjatë qytetare.
Sipas Çepanit, protesta tregon një pjekuri të lartë qytetare dhe po e rikthen qytetarin në qendër të politikës dhe të vendimmarrjes. Ajo nënvizoi se reagimi në shesh shkon përtej kërkesave tradicionale për ndërrimin e individëve në pushtet dhe synon një reformim të thellë të mënyrës se si funksionon shteti.
Aktivistja lidhi këtë kërkesë me përvojën e tranzicionit, duke thënë se me sistemin e ngritur në ato vite qytetarët nuk po marrin shërbimet e duhura për taksat që paguajnë. Për këtë arsye, sipas saj, kërkesa kryesore nuk është largimi i një personi për të vendosur një tjetër, por përmbysja e kulturës se si bëhet politika.
Çepani u bëri thirrje institucioneve që të mos merren me numërimin e pjesëmarrësve në protesta, por të lexojnë mesazhin e tyre, duke kujtuar se qytetari është punëdhënësi real që kërkon shërbime dhe dinjitet.
Ajo e cilësoi protestën si një model reagimi qytetar që po merret si shembull pozitiv edhe jashtë vendit, duke përmendur thirrjet në Itali për të ndjekur të njëjtën rrugë. Sipas saj, angazhimi dhe mbështetja nga diaspora po i japin lëvizjes një shtytje të madhe.
Çepani vuri në dukje se lëvizja po shmang kultin e individit dhe po funksionon në mënyrë horizontale, ku koordinatorët dhe qytetarët bashkërendojnë hapat përmes një strategjie fluide. Ndonëse protesta ka gjetur jehonë në Parlamentin Evropian dhe në mediat ndërkombëtare, ajo theksoi se ndryshimi real duhet të nisë nga vetë njerëzit brenda vendit.
Aktivistja paralajmëroi se nëse politika nuk tregon vizion për të reflektuar ndaj këtyre kërkesave, hendeku mes institucioneve dhe qytetarëve do të zgjerohet edhe më tej, duke krijuar një distancim të rrezikshëm.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

