Ndërsa protestat e studentëve në kryeqytet hyjnë në ditën e gjashtë, qeveria shqiptare ka miratuar shpërblime për 2,750 punonjës policie, me fonde nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Qeveria shqiptare ka miratuar të hënën një fond prej 740 milionë e 80 mijë lekësh për të shpërblyer punonjësit e Policisë së Shtetit, në mes të protestave të studentëve që prej gjashtë ditësh kanë përfshirë Tiranën me përplasje të dhunshme në rrugë.
Vendimi parashikon bonuse për 2,750 efektivë, si njohje për angazhimin e shtuar të tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Paratë do të merren nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Të njëjtën ditë, kryeministri Edi Rama u takua me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Gjatë takimit, ai shprehu mbështetjen për punonjësit që janë përfshirë në menaxhimin e situatës dhe dënoi aktet e dhunës gjatë protestave.
Sipas vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të hartojë listën e punonjësve që përfitojnë shpërblimin dhe do të mbikëqyrë procedurat e shpërndarjes së tij. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.
Masa vjen ndërsa policia vazhdon të përballet me protestat e ditëve të fundit, të shënuara nga përplasje të dhunshme dhe dëme në pronën publike e private. Që në ditët e para, tubimet e studentëve në kryeqytet ishin shoqëruar edhe me arrestime dhe procedime penale ndaj pjesëmarrësve.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

