Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, pretendon se shteti pagoi gati 590 mijë euro në vitin 2025 për ish-pjesëtarë të strukturave paralele serbe që nuk shkuan kurrë në punë. Kryeministri Albin Kurti flet për transferime, largime dhe kontrata të ndërprera, por thotë se problemi nuk zgjidhet përnjëherë.

Gjithsej 589 mijë e 884 euro paga u paguan gjatë vitit 2025 për 80 punonjës që, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, nuk kanë shkuar asnjë ditë në vendin e punës. Rrahmani e ngriti çështjen në Kuvendin e Kosovës, në një pyetje drejtuar kryeministrit Albin Kurti. Kurti iu përgjigj se bëhet fjalë për zyrtarë që nuk e kishin ushtruar kurrë detyrën dhe e cilësoi gjendjen si kosto të gabimeve të së kaluarës.
Rrahmani pretendoi se këta persona kanë qenë pjesë e strukturave paralele serbe që kanë funksionuar në veri të Kosovës dhe ngriti shqetësim se nuk ka informata për identitetin dhe veprimtarinë e tyre. "Pyetja ime është për disa pagesa që i janë bërë 80 punonjësve pa shkuar asnjë ditë në punë. Ata persona janë ish-persona të strukturave paralele që prej kohësh paguhen dhe që ju po vazhdoni t’i paguani, pra janë paguar me vlerë 589 mijë e 884 euro në vitin 2025, pra jeni duke i pagu strukturat paralele që kanë funksionu në veri e që as nuk dihet çka janë, çka bëjnë, në veri apo ku ndodhen?", tha deputeti.
Kryeministri e nisi përgjigjen nga viti 2015. Sipas tij, me vendimin e Qeverisë 06/39 të datës 22 korrik 2015, ish-Ministria e Administratës Publike ishte e obliguar të sistemonte 20 punonjës të komunitetit serb, me qëllim integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës. "Megjithëkëtë, që nga nënshkrimi i akteve të emërimit këta zyrtarë asnjëherë nuk kanë ushtruar detyra zyrtare në kuadër të ministrisë", tha Kurti.
Gjatë vitit 2025, sipas kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, si ministri përgjegjëse për administratën publike, i transferoi këta zyrtarë në funksione të tjera brenda saj. Pas vendimeve për transferim, katër prej tyre u larguan nga shërbimi civil si pasojë e masave disiplinore, ndërsa 15 të tjerë kanë paraqitur ankesa kundër transferimit pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Grupi i dytë që përmendi Kurti ndodhet në sektorin e mjedisit. Sipas tij, këtë vit u janë shkëputur kontratat 29 zyrtarëve nga komuniteti serb në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në institucionet vartëse të saj: 20 punonin në ministri, shtatë në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe dy në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Kurti tha se ata ishin të njohur si pjesëtarë të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile, të cilën Qeveria e tij e shpalli organizatë terroriste në qershor të vitit 2023, dhe se kontratat u ndërprenë për shkak të mungesave të vazhdueshme në vendin e punës.
Gjatë seancës, kryeministri shtoi edhe një shifër tjetër, të cilën tha se ia kishte dhënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli: në vitin 2024, 18 zyrtarë të tillë janë larguar nga puna.
Kurti mohoi se Qeverisë i mungon vendosmëria dhe kujtoi se ishte pikërisht ajo që shpalli organizata terroriste Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut. "Këto janë kosto të gabimeve të së kaluarës dhe ne nuk mund t’i rregullojmë të gjitha përnjëherë. Kohëzgjatja kushton, i kushton shtetit edhe buxhetit", deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, ngadalësia lidhet me rregullat, jo me qëllimin politik. "Nëse ne nxitojmë, atëherë organe të ndryshme të shtetit i rikthejnë në punë dhe duhet të paguash dëmshpërblim, vonesa nuk është vonesë e vullnetit, vonesa është vonesë e procedurave të mekanizmave të tjerë shtetërorë", tha Kurti, duke e përmbledhur qëndrimin e Qeverisë me një fjali: "Po veprojmë brenda procedurave ligjore".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

