Komanda Qendrore Amerikane u ka dorëzuar ligjvënësve një vlerësim të ri: lufta kundër Iranit u ka kushtuar amerikanëve 43.6 miliardë dollarë deri më 3 shtator, me municionin si zërin më të rëndë dhe me 18 ushtarë të vrarë e mbi 830 të plagosur.

Vetëm municioni ka kapërcyer gjysmën e faturës. Sipas një vlerësimi të ri që Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet në Lindjen e Mesme, ia ka dorëzuar këtë javë ligjvënësve, kostoja ushtarake e luftës me Iranin ka arritur në 43.6 miliardë dollarë deri më 3 shtator.
Lufta u nis nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt. Një raport i Zyrës Buxhetore të Kongresit (CBO), i publikuar të martën, llogariti se konflikti kishte kushtuar 38 miliardë dollarë deri më 1 gusht dhe se do të vazhdojë të shkaktojë shpenzime prej rreth 3 miliardë dollarësh në muaj, në varësi të intensitetit të luftimeve.
Ndryshimi më i ndjeshëm është te armatimi. Brenda pak më shumë se një muaji, kostot e armëve u rritën me mbi 6 miliardë dollarë: nga 21.7 miliardë dollarë të listuara në raportin e CBO-së, në 28.1 miliardë dollarë në vlerësimin e CENTCOM-it. Në raportin e ri për Kongresin, zëri i municionit është dukshëm më i madhi dhe përbën shumë më tepër se gjysmën e të gjitha shpenzimeve. Armët me kërkesën më të lartë janë interceptuesit mbrojtës të raketave, si ata që lëshohen nga sistemet Patriot dhe THAAD të Ushtrisë amerikane.
Pasqyra njëfaqëshe që ushtria amerikane i ka dërguar Kongresit përfshin shpenzimet për operimin e anijeve luftarake, avionëve dhe bazave, humbjet e pajisjeve dhe mbështetjen mjekësore për trupat. Humbjet njerëzore të regjistruara nga Pentagoni arrijnë në 18 të vrarë dhe mbi 830 të plagosur, sipas Sistemit të Analizës së Viktimave të Mbrojtjes.
Llogaria nuk përfshin dëmet në bazat amerikane në Lindjen e Mesme, të cilat Republika Islamike i ka goditur me raketa balistike dhe dronë. Një raport i inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit, i publikuar të hënën, thotë se sulmet iraniane kanë dëmtuar dhe shkatërruar qindra ndërtesa e struktura të tjera në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrejn, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani.
Zbrazja e depove ka ngjallur alarm edhe përtej Lindjes së Mesme. Zyrtarë amerikanë dhe të NATO-s kanë folur për një mungesë interceptuesish raketorë në Evropë që e kanë cilësuar "përtej nivelit kritik". Edhe Arabia Saudite po mbetet pa interceptues dhe u është drejtuar aleatëve rajonalë e perëndimorë për ndihmë, ndërsa përballja e saj me rebelët hutitë në Jemen po zgjatet.
Fatura financiare është vetëm një matës i pasojave. Lufta po ndikon në çmimet e naftës dhe në tregun e aksioneve, ndërsa kostoja politike do të llogaritet në zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin në nëntor, ku republikanët po përballen me presion në rritje për shkak të mospopullaritetit të luftës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

