Mbi 3.000 hektarë pyll dhe vegjetacion janë përfshirë nga flakët në rezervatin e Deliblatit, ndërsa Serbia ka kërkuar ndihmë nga Gjermania. Një kontingjent me 41 zjarrfikës dhe 22 automjete pritet të arrijë të hënën në Vojvodinë.

Zjarri në Rezervatin Special të Natyrës Deliblatska Peshçara, në Vojvodinë, po digjet prej më shumë se një muaji dhe ka përfshirë mbi 3.000 hektarë pyll e vegjetacion. Për ta ndalur atë, në terren mbërrin tani edhe një kontingjent gjerman, i dërguar pas kërkesës që autoritetet serbe i drejtuan Gjermanisë.
Kontingjenti numëron 41 zjarrfikës, prej të cilëve 32 vijnë nga Boni dhe Dyseldorfi, ndërsa pjesa tjetër nga Saksonia e Poshtme. Konvoji përbëhet nga 22 automjete, mes tyre autobote dhe mjete logjistike. Ekipet janë pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe do të angazhohen për shuarjen e zjarrit nga toka.
Sipas zëdhënësit të shërbimit zjarrfikës dhe të shpëtimit në Bon, misioni është planifikuar të zgjasë dhjetë ditë. Mbërritja në Vojvodinë ishte parashikuar të hënën, më 24 gusht, ku gjermanët do të vendosen në një kamp bashkë me zjarrfikësit rumunë. Puna do të zhvillohet në dy turne.
Kontingjenti rumun, me 69 pjesëtarë dhe 15 automjete, është i vendosur në bazën operative në Bella Cërkva dhe prej andej niset drejt ndërhyrjeve. Në terren janë aktivë gjithashtu helikopterët "Black Hawk" nga Rumania, Çekia dhe Sllovakia, si dhe avioni rus Iljushin Il-76.
Zëdhënësi i njësisë zjarrfikëse në Bon e ka përshkruar operacionin si një përpjekje të madhe logjistike: përveç materialit dhe ushqimit, i ndërlikuar është edhe planifikimi i personelit, pasi punëdhënësit duhet t'i lirojnë brenda një afati të shkurtër nga puna pjesëtarët e njësisë vullnetare zjarrfikëse. Në vetë terrenin, përpjekjet fizike janë ekstreme, pavarësisht veshjeve speciale disi më të lehta.
Për njësitë nga Rajna e Veriut-Vestfalia dhe Saksonia e Poshtme, që bëjnë pjesë në një prej të ashtuquajturave module të BE-së për shuarjen e zjarreve, ky është tashmë misioni i katërt këtë vit. I njëjti kontingjent ka ndihmuar më parë në shuarjen e zjarreve në Holandë, Spanjë dhe së fundmi në Hyrtgenvald.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

