Një aktakuzë e zbardhur në gjykatën federale të Manhatanit akuzon një rrjet të shërbimeve të inteligjencës ruse që pagoi njerëz për të survejuar dhe vrarë objektiva në SHBA dhe në vende europiane pro-Ukrainës. Pesë të akuzuar janë të lirë.

Një banor i Shteteve të Bashkuara, i identifikuar në aktakuzë vetëm si "US Resident-1", pranoi 1.000 dhe 1.500 dollarë për të survejuar dy lokacione të lidhura me një disident të njohur rus, por refuzoi ofertën e radhës: 40.000 dollarë për të vrarë objektivin. Ky detaj qëndron në zemër të aktakuzës që autoritetet federale amerikane zbardhën të martën në gjykatën federale të Manhatanit, në New York.
Sipas autoriteteve federale, shërbimet e inteligjencës së Rusisë planifikonin vrasje të dedikuara në territorin e Shteteve të Bashkuara dhe në vendet europiane që mbështetnin Ukrainën. Njëkohësisht u bënë publike akuzat kundër pesë personave, të cilët mbeten në arrati.
Aktakuza pretendon se një rrjet i shërbimeve të inteligjencës pagoi dhe u përpoq të paguante individë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera për të vëzhguar objektiva të caktuara për vrasje, me planin që më pas ato të ekzekutohen. Të njëjtët bashkëpunëtorë të rekrutuar, sipas aktakuzës, u nxitën edhe të kryenin akte terrorizmi kundër infrastrukturës civile dhe ushtarake në vende europiane që perceptoheshin si të afruara me Ukrainën.
Drejtuesi i zyrës së FBI-së në New York, James Barnacle Jr., deklaroi se FBI-ja i shkatërroi këto plane "through relentless work" ("përmes një pune të pandërprerë"), ndërsa pjesëtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës dhe të afiliuarit e tyre, sipas tij, "conspired to intimidate, threaten, or murder people on US soil and around the world" ("konspiruan për t'i frikësuar, kërcënuar ose vrarë njerëz në tokën amerikane dhe në mbarë botën").
Drejtuesi i zyrës së FBI-së në Uashington, Darren Cox, foli për "extraordinary work by multiple FBI field offices, components, and partner agencies that collectively disrupted Russia's attempts to conduct violent acts in our nation's capital and throughout the United States" ("punë të jashtëzakonshme nga shumë zyra terreni të FBI-së, komponente dhe agjenci partnere, që bashkërisht çrrënjosën përpjekjet e Rusisë për të kryer akte të dhunshme në kryeqytetin e vendit tonë dhe në tërë Shtetet e Bashkuara"). Cox shtoi se, sapo kërcënimi u identifikua, zyra e FBI-së në Uashington dhe partnerët e saj "moved quickly to disrupt the plot and hold the Russian government accountable for its actions" ("lëvizën shpejt për të shkatërruar komplotin dhe për t'i kërkuar llogari qeverisë ruse për veprimet e saj").
Sipas një komunikate të FBI-së, një rrjet personash që punonin për shërbimet e inteligjencës së Federatës Ruse kishte konspiruar që prej vitit 2024 për të kryer, dhe kishte kryer, atentate dhe vrasje në mbarë botën, përfshirë brenda Shteteve të Bashkuara. Komunikata e cilëson rrjetin "one arm" ("një krah") të aparatit të Federatës Ruse të ndërtuar për të kryer atentate jashtë vendit, përfshirë vrasje, në çdo pikë të globit.
Fokusi i rrjetit, sipas komunikatës, kishte qenë më parë te disidentët dhe dezertorët rusë, por së voni ishte zhvendosur drejt vendeve që perceptohen si aleate të Ukrainës. Pjesëtarë të rrjetit, thuhet më tej, kishin tentuar kohët e fundit të rekrutonin disa persona brenda Shteteve të Bashkuara.
Radhitja e fakteve në aktakuzë përqendrohet në verën e këtij viti, kur rrjeti rekrutoi një individ me bazë në SHBA për të survejuar dhe vrarë një disident të njohur rus, që besohej se banonte në Shtetet e Bashkuara. Personit të shënuar si "US Resident-1" i janë dhënë "explicit instructions on how to conduct surveillance" ("udhëzime eksplicite për mënyrën e kryerjes së survejimit") dhe i janë premtuar 1.000 e 1.500 dollarë për punën. Pasi kreu vëzhgimin dhe i dorëzoi njërit prej pesë të akuzuarve fotografi e video të lokacioneve të lidhura me viktimën e synuar, ai refuzoi 40.000 dollarët e ofruar për vrasjen.
Refuzimi nuk e ndaloi skemën: sipas aktakuzës, pjesëtari i shërbimeve të inteligjencës që kishte bërë ofertën u përpoq të rekrutonte persona të tjerë në Shtetet e Bashkuara për të njëjtën punë, duke premtuar suma të mëdha parash. Të pesë të akuzuarit vazhdojnë të jenë në arrati dhe, sipas standardit ligjor amerikan, mbeten të dyshuar deri në një vendim gjyqësor.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

