Administrata Trump po përgatit një paketë armësh prej 2,8 miliardë dollarësh për Izraelin, me 40.000 bomba prej 2.000 paundësh, të njëjtat armë që dy vjet më parë u bllokuan nga administrata Bideni për shkak të frikës nga viktimat masive në Gaza.

Bombat që administrata Bideni i mbajti të bllokuara për shkak të rrezikut të viktimave masive në Gaza po kthehen në tavolinë. Administrata Trump po planifikon t'i dërgojë Izraelit 40.000 bomba prej 2.000 paundësh, si pjesë e një marrëveshjeje armësh me vlerë 2,8 miliardë dollarë.
Paketa përbëhet nga 20.000 bomba të tipit MK-84 dhe 20.000 të tipit BLU-117. Detajet u përshkruan të martën nga dy zyrtarë amerikanë dhe një person në njohje me planin, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi marrëveshja nuk është finalizuar ende. Kongresi është njoftuar jozyrtarisht për të.
Pjesa më e madhe e shitjes do të paguhet përmes financimit ushtarak të huaj, një mekanizëm në të cilin para të taksapaguesve amerikanë i jepen Izraelit për të blerë më pas armët nga Shtetet e Bashkuara.
Bomba e 2.000 paundëve ka disa variante: disa janë projektuar të depërtojnë thellë në objektiva nëntokësorë, të tjerat shpërthejnë mbi tokë dhe shkaktojnë dëme në një rreze të gjerë. Ushtria izraelite ka dhënë pak të dhëna se çfarë bombash dhe artilerie ka përdorur në Gaza, por ekspertë që kanë analizuar pamjet e sulmeve dhe fragmentet e shpërthimeve të gjetura në terren besojnë se atje janë përdorur bomba të prodhimit amerikan, kundër një rrjeti tunelesh që raportohet se përdoret nga Hamasi, por duke vrarë edhe njerëz në zona të dendura me popullsi.
Kjo është hallka e fundit në një varg hapash të administratës Trump për të forcuar kapacitetin ushtarak izraelit. Në vitin 2024 administrata Bideni pezulloi një ngarkesë të këtyre bombave, ndërsa Trump e hoqi bllokimin kur erdhi sërish në detyrë. Vitin e kaluar, administrata anashkaloi procesin normal të rishikimit në Kongres dhe miratoi një shitje prej gati 3 miliardë dollarësh për Izraelin, e cila përfshinte më shumë se 35.500 bomba të tilla. Në janar u miratua një seri e re shitjesh armësh me vlerë totale 6,67 miliardë dollarë.
Sfondi mbetet lufta në Gaza, e cila ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra palestinezë dhe ka shkatërruar territorin, ndërsa Izraeli përballet me izolim ndërkombëtar në rritje për shkak të saj. Sulmi i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 vrau rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që prej atij momenti, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Izraeli ka vrarë më shumë se 73.264 palestinezë, përfshirë ata të vrarë në shkelje të armëpushimit.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mbetet i brishtë dhe është shkelur disa herë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

