Administrata e Donald Trumpit po përgatitet të miratojë shitjen e së paku 40 mijë bombave për Izraelin, mes tyre 20 mijë ogiva MK-84 nga një ton, ndërsa bombardimet mbi Rripin e Gazës vazhdojnë pothuajse çdo ditë pavarësisht armëpushimit.

Dhjetëra mijëra bomba, disa nga municionet më shkatërruese të arsenalit amerikan, janë gati të nisen drejt Izraelit. Qeveria e presidentit amerikan Donald Trump po përgatit një ngarkesë të jashtëzakonshme armatimi, sipas asaj që u bë e ditur të martën, më 15 shtator, nga media amerikane.
Lajmi u publikua fillimisht nga Washington Post dhe u konfirmua nga New York Times. Sipas të dy gazetave, ekzekutivi amerikan është në prag të miratimit të shitjes së së paku 40 mijë bombave për Izraelin, në një vlerë totale prej 2,8 miliardë dollarësh (rreth 2,4 miliardë euro), e financuar në mënyrë të tërthortë nga taksapaguesit amerikanë.
Në qendër të dërgesës qëndrojnë 20 mijë bomba Mark 84 (ose MK-84), ogiva me peshë një ton, ndër më të fuqishmet që zotëron ushtria amerikane. Sipas një faqeje të ushtrisë, MK-84 mund të hedhë copëza vdekjeprurëse deri në 370 metra larg pikës së goditjes.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit, të kontaktuar nga Agjencia France-Presse, nuk pranuan të komentojnë. New York Times thekson se, edhe pse Kongresi amerikan në teori mund t'u kundërvihet shitjeve të armëve jashtë vendit, ekzekutivi ka mjete për ta anashkaluar këtë rregull. Sipas të njëjtës gazetë, ngarkesa do të renditej ndër dërgesat më të mëdha të municioneve amerikane për Izraelin.
Dërgesa vjen ndërsa Izraeli vazhdon të bombardojë pothuajse çdo ditë Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit. Që nga hyrja në fuqi e tij në tetor 2025, i negociuar nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara, operacionet ushtarake izraelite kanë shkaktuar mbi 1.300 të vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, e cila është nën autoritetin e Hamasit dhe shifrat e së cilës vlerësohen si të besueshme nga OKB-ja. Ushtria izraelite ka raportuar pesë të vrarë në radhët e veta gjatë së njëjtës periudhë, si dhe një punonjës civil me kontratë.
Në Shtetet e Bashkuara, mbështetja historike për Izraelin po ndan gjithnjë e më shumë opinionin publik. Shumë demokratë po bëjnë fushatë për zgjedhjet legjislative të kësaj vjeshte pikërisht me premtimin e reduktimit të kësaj mbështetjeje, duke denoncuar numrin e civilëve palestinezë të vrarë nga Izraeli.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

