Gjatë viteve në paraburgim në Hagë, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli iu lejua vetëm tri herë të kthehej në Kosovë, dhe të tria herët ishin për prindërit e tij. Sot pritet vendimi për të dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

Rreth 40 minuta pranë shtratit të babait në Spitalin e Mitrovicës, pastaj largimi nën përcjelljen e EULEX-it. Kjo ishte e para nga tri herat e vetme që Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kreu i PDK-së, e ka parë Kosovën gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim në Hagë.
Të tria vizitat u autorizuan nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rrethana të veçanta familjare, dhe u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie.
E para ndodhi më 4 maj 2021. Veselit iu lejua të vinte për të vizituar babain, Fazli Veselin, i cili po merrte trajtim në Spitalin e Mitrovicës pasi kishte pësuar sulm në tru, sipas raportimit të Klankosova.tv. Babai i tij nuk jetoi gjatë: më 7 korrik u dha lajmi për vdekjen e tij.
Kjo hapi rrugën për kthimin e dytë, më 10 korrik të po atij viti, në ditën e fundit të ngushëllimeve. Veseli arriti në shtëpinë e tij në lagjen Bair të Mitrovicës, i shoqëruar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Fillimisht vizitoi varrin e babait, ndërsa më pas qëndrimi iu kufizua brenda ambienteve të shtëpisë. Për arsye sigurie, nuk iu lejua të dilte te tenda ku miqtë dhe të afërmit po prisnin për ngushëllime.
Gjashtë muaj pas humbjes së babait, më 7 janar 2022, vdiq edhe nëna e tij, Ajshja, në moshën 93-vjeçare. Edhe atëherë iu lejua të vinte në Kosovë, por kufizimet e vizitës nuk i mundësuan të merrte pjesë në varrim. Destinacioni i tij i parë ishte fshati Broboniq, ku prehet nëna, dhe më pas lagjja Bair në Mitrovicë, ku qëndroi vetëm pak minuta në shtëpinë e prindërve. Atje e pritën bashkëshortja dhe fëmijët, ndërsa forca të shumta të sigurisë e shoqëruan gjatë gjithë kohës.
Këto janë tri kthimet e tij në vend gjatë viteve në Hagë, ku së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së po përballet me procesin gjyqësor. Vendimi për Veselin dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, pritet të merret sot.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

