Ursula von der Leyen i premtoi Volodimir Zelenskit se Ukraina mund të tërheqë edhe 37 miliardë euro deri në fund të 2026-s. Në të njëjtën ditë, BE-ja shpëtoi në minutën e fundit sanksionet ndaj Moskës, duke përjashtuar nga lista dy oligarkë rusë, një vendim që Kievi e quajti "të turpshëm dhe të pajustifikueshëm".

Ndërsa buxheti i luftës i Ukrainës çahet nga shpenzimet e mbrojtjes dhe nga goditjet ruse mbi ekonominë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i tha të martën (22.09.2026) presidentit ukrainas Volodimir Zelenski se Kievi mund të përfitojë deri në fund të vitit 2026 edhe 37 miliardë euro të tjera nga kredia prej 90 miliardë eurosh, e miratuar në prill nga Bashkimi Europian për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
"Më shumë mbështetje në mbrojtje është rrugës. Dhe ndërsa reformat e Radës (Parlamenti ukrainas) përparojnë, edhe më shumë mbështetje buxhetore. Kemi 37.000 milionë ende në dispozicion në këtë vit kalendarik", shkroi von der Leyen në një mesazh në rrjetin X, pas takimit me Zelenskin në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Zelenski, në të njëjtin rrjet social, tha se me von der Leyenin bisedoi "për mënyrën si të garantohet qëndrueshmëria financiare" e Ukrainës këtë vit dhe në vitin 2027. Duke iu referuar rregullimeve fiskale që BE-ja i kërkon Kievit për të vijuar disbursimet, ai shtoi: "Jemi mirënjohës ndaj BE-së për vendimin mbi 90.000 milionë eurot, dhe Ukraina po i përmbush zotimet e saj në kuadër të marrëveshjes aq sa ia lejon vrima buxhetore".
Vrima nuk është e vogël. Zelenski ka deklaruar së fundi se Ukraina shpenzoi për mbrojtje më shumë sesa ishte parashikuar në gjysmën e parë të vitit: 27 miliardë dollarë shtesë që duhen mbuluar para fundit të vitit. Gjendja financiare e Kievit është përkeqësuar gjithashtu javët e fundit për shkak të fushatës së sulmeve ruse ndaj sektorëve strategjikë të ekonomisë ukrainase, si bujqësia dhe metalurgjia.
Në të njëjtën ditë, Bashkimi Europian i shpëtoi në minutën e fundit kolapsit të regjimit të vet sanksionues ndaj Moskës. Vetëm pak orë para skadimit të afatit, përfaqësuesit e të Njëzetë e Shtatëve rinovuan sanksionet e BE-së kundër afro 3.000 individëve dhe entiteteve të akuzuar se mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Çmimi i marrëveshjes: pranimi me hezitim i kërkesave të Francës dhe Luksemburgut, të cilat arritën të nxjerrin dy oligarkë rusë nga lista e zezë, pavarësisht kritikave të Kievit.
Dy biznesmenët që mbeten të përjashtuar nga lista janë Alisher Usmanov, i cili ka edhe shtetësi uzbeke, dhe Mihail Fridman, sipas dy burimeve diplomatike të cituara nga agjencia AFP.
Reagimi i Kievit ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andri Sibiga, e cilësoi vendimin e BE-së për heqjen e të dy oligarkëve nga lista e sanksionuarve "të turpshëm dhe të pajustifikueshëm". "U bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që të njoftojnë që tani se do të vendosin sanksionet e tyre kombëtare ndaj këtyre dy individëve", shtoi ai.
Paralelisht, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një takim dypalësh me Zelenskin. Para gazetarëve, Trump tha se ai dhe presidenti ukrainas po bisedonin për të gjetur një zgjidhje që i jep fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme, ai u shpreh se paqja në Ukrainë mund të jetë më afër nga sa mendohet dhe se edhe Rusia duket se ka ndërmend ta përfundojë luftën.
"Është i gatshëm të takohet. Është i gatshëm. Do të donte që lufta të përfundonte. Mendoj se të dy duan që lufta të marrë fund", tha Trump.
Nga ana e tij, Zelenski vuri një afat: "Shpresoj se do t'i japim fund kësaj lufte dhe presidenti Trump të na ndihmojë ta përfundojmë këtë luftë. Mendoj se duhet ta bëjmë, nëse është e mundur, para dimrit".
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

