Prokuroria ukrainase e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar sipërmarrësin kroat Matias Zubak, të dyshuar në aferën e 36.6 milionë dollarëve për predha që nuk mbërritën kurrë. Gjurmimi i parave çon deri te blerja e një fabrike eksplozivi në Bosnjën qendrore.

Gjurmimi i parave të vjedhura nga një kontratë armatimi e Ukrainës ka arritur në një zhvillim të ri: prokuroria ukrainase ka konfirmuar se sipërmarrësi kroat Matias Zubak, pronar i njërës prej kompanive të përfshira në blerjen e dështuar, ka statusin e të dyshuarit dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Emri i Zubakut ishte publikuar edhe më herët në listën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës për personat që u fshihen organeve hetimore. Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, hetimi zhvillohet nga Departamenti kryesor i hetimeve i Policisë Kombëtare, nën mbikëqyrjen e prokurorisë. Hetimi është pezulluar për sa kohë vendndodhja e tij mbetet e panjohur, ndërsa ligji ukrainas parasheh rifillimin e tij sapo të përcaktohet ku ndodhet. Kërkimi ndërkombëtar mund të mbështetet nga INTERPOL-i dhe mekanizma të tjerë të bashkëpunimit policor, megjithëse emri i tij aktualisht nuk figuron në bazën publike të INTERPOL-it për njoftim të kuq.
Në qendër të gjithçkaje qëndron një porosi ushtarake e tetorit 2022. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës porositi nga kompania ukrainase Lviv Arsenal 100.000 predha mortajash, me vlerë 36.6 milionë dollarë, për t'u mbrojtur nga pushtimi rus. Paratë u paguan paraprakisht, por predhat nuk u dorëzuan kurrë. Përveç Lviv Arsenal, në marrëveshje morën pjesë edhe kompani nga disa vende evropiane, mes tyre kompania sllovake Sevotech dhe WDG Promet nga Zagrebi.
Pas gati katër vjetësh, çështja hetohet paralelisht në disa shtete — dhe pikërisht kompania nga Zagrebi është ura që lidh skandalin ukrainas me Bosnjën e Hercegovinën.
Sipas dokumenteve të drejtësisë ukrainase, me paratë e destinuara për armatim u ble fabrika e eksplozivëve Vitezit, në Bosnjën qendrore. Vitezit-i ishte dërguar në falimentim në vitin 2019, ndërsa tre vjet më vonë impianti i tij më premtues për prodhimin e nitroglicerinës dhe eksplozivit plastik u shit për rreth 5.5 milionë euro kompanisë WDG Promet nga Zagrebi. Falimentimi dhe shitja u shoqëruan me ankesa e kallëzime penale nga kreditorët dhe përfunduan me një aktakuzë për shitje të paligjshme kundër katër personave, mes tyre edhe administratores së falimentimit, Behrija Huseinbegoviq.
Rastin e shitjes së pronës së Vitezit-it e trajton Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit, Krimit të Organizuar dhe Krimit Ndërkantonal i Prokurorisë së Federatës së Bosnje e Hercegovinës. Ky institucion ka konfirmuar se Zubak është aktualisht i dyshuar, ndërsa emri i tij përmendet në një pjesë të aktakuzës, ku pretendohet se Vitezit-i u ble me paratë e caktuara për armatimin ukrainas. Sipas aktakuzës, për blerjen e fabrikës u shpenzuan gjithsej 10.8 milionë marka, të cilat aktualisht janë të bllokuara në një llogari bankare me vendim të Gjykatës Supreme të Federatës.
Fija e parave kalon edhe nëpër Çeki. Përmes kompanisë sllovake Sevotech, mjetet e destinuara për armatimin ukrainas iu transferuan WDG-së nga Zagrebi në një llogari të institucionit të kursimeve çek Podnikatelska druzstevni zalozna. Sipas një dokumenti të Gjykatës së Lartë kundërkorrupsionit të Ukrainës, në dhjetor 2022 Sevotech i transferoi WDG Promet gjithsej 11.34 milionë euro. Nga kjo shumë, kompania nga Zagrebi pagoi 5.52 milionë euro për blerjen e Vitezit-it. Një pjesë e parave shkoi te kompani në Bullgari dhe Slloveni, një pjesë në llogaritë e WDG Promet në Kroaci, ndërsa pjesa tjetër u tërhoq në para të gatshme nga llogaria në Çeki.
Nga WDG Promet kanë pretenduar më herët se paratë nga llogaria në Çeki u ishin vjedhur — përmes falsifikimit të nënshkrimeve dhe transferimit te persona e organizata të tjera — duke mohuar se me to ishte blerë Vitezit-i. Institucioni çek i kursimeve, nga ana tjetër, ka thënë se tërheqja e parave nga llogaria e WDG Promet ishte raportuar si transaksion i dyshimtë dhe se paratë ukrainase ishin përdorur për blerjen e fabrikës në Bosnjën qendrore.
Me rastin merren tashmë edhe institucionet e drejtësisë në Çeki, të cilat vitin e kaluar i kërkuan Bosnjës dokumentacionin nga procedura e falimentimit të Vitezit-it, përfshirë dokumentet për shitjen e pronës, pagesën e paradhënies dhe çmimin e blerjes.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

